Foto simbol/ Infermierja që fle në timonin e ambulancës, rrëfimi prekës si presin me orë për tamponat e…



Edhe ky imazh është i destinuar të bëhet një tjetër foto simbol e luftës kundër koronavirusit dhe ndez shumë diskutime.



Në foto është Aurora Tocco, një infermiere 22-vjeçare, duke fjetur në timonin e ambulancës, pas një lodhje nga puna në terren.



Këtë imazh e ka ndarë në Facebook një koleg i saj.

22-vjeçarja mësohet se kishte pritur bashkë me kolegët për tetë orë përgjigjen e tamponit për një pacient me Covid, përpara Villa Sofia në Palermo.

Para se të transferohet në pavijonet Covid, pacienti duhet të presë rezultatin e tamponit brenda në ambulancë me personelin shëndetësor i cili nuk mund të heqë pajisjet mbrojtëse.

E intervistuar nga Live Sicilia, Aurora tha: “Unë punoj në Spitalin e Fëmijëve në Palermo. Po, infermierja e lodhur në foto jam unë. Më zuri gjumi. Ishte ora pesë e pasdites, ne kishim në ambulancë për shtatë orë me radhë. Në ditët e pushimit, kur nuk jam në detyrë në spital, shërbej me ambulancën. Pse? Për pasionin, për angazhimin tim, përkushtimin që më bën të ngrihem që në mëngjes. Unë jam një vajzë me fat dhe mirënjohja e njerëzve më ndihmon shumë kur shkoj për shërbim tek një pacient”.

“Disa mendonin se Covid ishte i gjithë një trillim – shtoi ajo – dhe tani që, për fat të keq, kanë dalë pozitiv, e kuptojnë realitetin. Coronavirus është një armik i padukshëm. Por ka nga ata që e mohojnë atë edhe nga frika. Unë jetoj në Cinisi me familjen time, marr trenin çdo ditë. Kisha ëndërruar të punoja në një spital kur isha në shkollë. Mjekësia ka qenë gjithmonë ëndrra ime. Ne nuk jemi heronj, ne jemi njerëz. Ne do ta fitojmë betejën falë të gjithëve. Çfarë mendoj në mbrëmje, në tren, kur kthehem? Falënderoj Zotin që bëra detyrën time. Ne nuk e bëjmë për pagën, por e bëjmë për të tjerët”, tha ajo.