FOTOT/ Largoi drejtorinë në Lezhë, Shkodra uron Ministrinë për 7-Marsin me 2 gjimnaze në top 10 më të mirat

Gëzuar 7 Marsin Ministrisë së Arsimit! Paradokset në Shqipëri nuk kanë fund. Vitin që shkoi me një vendim absurd dhe falë ndërhyrjeve të forta politike të deputeteve socialist, ministria e arsimit dërgoi në Lezhë drejtorinë rajonale arsimore për rajonin e veriut duke e larguar nga Shkodra. Qesharak, absurd dhe në kufinjtë e një skandali, duke patur parasysh atë cfarë përfaqëson Shkodra si qytet në art, kulturë, arsim dhe sport. E në krahun tjetër Lezha, një qytet sa dy lagje të Shkodres, që përtej vlerave që ka, është shumë larg të qënit në lartësinë e kapaciteteve njerëzore, por edhe intelektuale të hyjë në garë me metropolin e veriut. Por sic merren rëndomtë vendimet në Shqipëri, politika edhe këtë herë nuk kishte si të ndryshonte kurs. Ministria nuk u tërhoq përballë reagimeve që patën arsimtarë e intelektuale të Shkodres, që në krahun tjetër u lanë vetëm nga politikanët e këtij qarku, që nuk kishin si ti thonin jo Edi Ramës dhe vartësve të tij, pasi të gjithë kërkojnë të mbajnë karrigen. Por për ti treguar ministres Besa Shahini që nuk e lidh asgjë me historinë e arsimit në Shqipëri, e nuk ka si të dijë cfarë përfaqëson Shkodra, por bashkë me të, për ti thënë edhe vartësve që e sugjerojnë apo mbështesin në marrëzitë e saj, se sa gabim ka bërë, po i referohemi vetëm asaj cfarë ndodhi pak javë më parë, kur u bënë publike rezultatet e përgjithshme të matures shtetërore 2018 – 2019 në rang kombëtar.  Shkodra triumfoi e para, me gjimnazin “28 Nëntori” si më i miri në shkallë republike me notën mesatare 8.297, duke lënë kështu pas një gjimnaz të Tiranës dhe një të Vlorës. Por në top listën e 10 gjimnazeve më të mira, Shkodra zuri edhe vendin e shtatë me “Oso Kukën” me një mesatare 7.918. Kjo panoramë tregon forcën që ka arsimi në këtë qytet, punën që bëhet me nxënësit nga mësuesit, e nga ana tjetër korrektësinë me të cilën ky qytet e ka ruajtur traditën e bukur në fushën e dijes. Mjafton vetëm ky fakt për ti dhënë një shuplakë të fortë ministres dhe stafit të saj, që nën aventurat politike, tentojnë të godasin një qytet që vlerat janë pjesë e tij, e asesi nuk mund dhe nuk duhet të dorëzohen përballë të tilla aventurave politike. E nuk kishte se si të urohej më mirë 7 Marsi 2020 për ministren Shahini dhe stafin e saj, sesa me këtë fakt dhe me turpin që vijon ti mbulojë cdo ditë nga skandalet e njëpasnjeshme në arsim, ku eksperimentet dhe lojrat e rrezikshme po ndikojnë tek fëmijet dhe brezat e ardhshëm. Shkodra do t’ja dalë ta rikthejë në gjirin e saj atë drejtori, qoftë edhe për krenarinë legjitime, por edhe për forcën që ky qytet ka në arsim, ndërsa ministrja që është në atë karrige kalimtare, nuk mund t’i zbehë lavdinë këtij qyteti, e aq më pak traditën e hershme edhe në arsim. 7 Marsi tjetër nuk dihet nëse do e gjejë Shahinin në atë karrige, gjasat janë të pakta, por nëse po, deri atëherë do të ketë kohë të marrë leksione të tjera nga Shkodra.