Frika nga koronavirusi në ekonomi, Meta thërret urgjent Gent Sejkon, Banka ka parashikuar që…



Presidenti Ilir Meta, u takua sot paradite me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim thirrur prej kreut te shtetit për të diskutuar në lidhje me situatën e re të krijuar si pasojë e pandemisë së COVID 19, si dhe efektet e mundshme në ekonominë e vendit dhe në sektorin bankar.



Guvernatori Sejko e informoi Presidentin Meta se gjendja e sektorit bankar vazhdon të jetë likuide dhe e mirëkapitalizuar dhe se janë marrë të gjitha masat për një vazhdimësi normale të aktivitetit operacional me klientët.



“Banka e Shipërisë është angazhuar për marrjen e vendimeve lehtësuese në interes të komunitetit të biznesit dhe të individëve. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka marrë në analizë situatën e krijuar, efektet e mundshme të saj në ekonominë e vendit dhe disponon instrumentat e nevojshëm në funksion të ruajtjes së parametrave makro-ekonomikë dhe stabilitetit financiar në vend”, – sqaroi Guvernatori Sejko.

Presidenti Meta vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë dhe shprehu besimin se do të merren në kohë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur efektet negative, si në sektorin bankar, ashtu edhe në stabilitetin makro-ekonomik të vendit.