Fundi i ëndrrës për listën Basha, pas djegies së mandatave, plas leku për këta kandidatë në Shkodër (EMRAT)

Djegia e mandateve nga opozita e bashkuar, pa frikë mund të quhet edhe djegia e ëndrrës për shumë ish deputetë që ta shohin sërish veten të ulur në ato karrige. Të paktën sa i përket partisë demokratike, Lulzim Basha pritet të mos rikandidojë një pjesë të madhe të tyre, nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Burime nga selia blu bëjnë me dije se thuajse 50% e listës do të pësojë ndryshime, e ku me gjasa mes të prekurve janë edhe deputetet e qarkut Shkodër. Të njëjtat burime saktësojnë se në listën e gjatë shumë emërore që Basha vendosi në zgjedhjet e 2017-es, këto emra nuk do të jenë më, mes tyre edhe ata që ishin deputetet për 2 vite në atë kuvend, e që dogjën në mes mandatin. Katarsisi i Bashës mund të jetë më i rëndë në një kohë që shumë prej tyre u përgatiten të marrin herë rolin e heroit, e herë të shpëtimtarëve të demokracisë.

Me teza e hipoteza ata nuk lanë moment pa u shfaqur si të zgjedhurit e Bashës, apo të preferuarit e tij, e në fund u dogjën duke e lëshuar mandatin pa një vullnet të brendshëm, por gjithmonë duke shpresuar se do të jenë sërish mes listës së gjatë që kreu i PD do të hartojë për deputetet e rinj. Situata bëhet me kaotike në një kohë që pesha e tyre në elektorat është minimale, për të mos thënë e papërfillshme dhe këtë e tregojnë qoftë organizimet politike të javëve të fundit me protestat, e qoftë takimet elektorale në zona.

Ky ka qenë edhe një test që Bashës i është bërë publik më herët, për shkak se Shkodra mbetet një qark specifik. Por surprizuese janë edhe lëvizjet e orëve të fundit të mazhorancës, e cila pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ftuar zyrtarisht 57 kandidatë për deputetë të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit, nuk kanë rreshtur edhe ofertat e majme. Që nga postet drejtuese që u janë premtuar emrave të caktuar, paratë cash, e deri tek të tjera përfitime, bëjnë me dije burime për Shkodraneës.

Në qarkun Shkodër ata që do të thirren për ta pranuar ose jo këtë mandat nga radhët e PD-së janë: Gjokë Uldedaj, Anton Koka, Prelë Gjoni, Isuf Meta dhe Benardeta Syku, për të vijuar më pas me Arvit Bushatin i 11-ti në listë, Ardit Qylybyli, Denis Fani, Aurel Markaj, Denisa Meçi, Orjeta Shkambi, Nikolin Staka dhe Zef Shtjefni, ku 3 emrat e fundit janë nga radhët e partive të vogla aleate të Bashës, që deri më tani nuk janë parë në proteste dhe as në mbështetje të kauzës. Me shumë gjasa ata mund t’i thonë po një mandati të tillë, ç’ka do të ishte thuajse “vetëvrasese” për opozitën.