Fundoset Voltana, i ikën dhe Filipi

Filip Vila drejtori i shërbimeve sociale, apo i njohur ndryshe si “kryetari në hije” i bashkisë Shkoder, që për 3 vite bëri cfarë deshi në këtë institucion, është emri i radhës që braktis varkën e Voltana Ademit. Ai ka bërë gati të gjithë dokumentacionin e dorëheqjes nga kjo detyrë, ndërsa vështrimin e ka hedhur më larg.

Burime të sigurta bëjnë me dije se Vila kishte nisur prej kohësh bisedimet dhe do të transferohet në një detyrë të rëndësishme, në atë që prej vitesh di të “gllabërojë” më mirë, në fushën e shërbimeve sociale, por këtë herë me gjasa jashtë territorit të republikës së Shqipërisë. Ikja e tij është një shuplake e fortë për Voltana Ademin, që tashmë kur të gjithë e kanë kuptuar se një rikonfimim i saj për një mandat të dytë nga Lulzim Basha është mision i pamundur, kanë nisur t’i kthjejnë kurrizin.

E këtë gjë po e bëjnë ata që ishin deri dje më të besuarit e saj, ku e nisi i pari Dritan Meta, nënkryetari që bënte cdo gjë në bashki, e madje u bë përfituesi më i madh i atij posti, e për tu pasuar nga Filip Vila, prej mendjes së të cilit kryhen të gjitha veprimet në atë institucion, nga ato financiare, e deri tek rekrutimi i personit më të thjeshtë në punë. Kjo pasi Voltana Ademi është thjesht një firmëtare e bindur dhe e heshtur, që duhet të zbatojë urdhërat.

Largimi i Filip Vilës nga ky post pritet të hapë stuhi të reja për Ademin, e cila do të duhet që këto muaj të mbetura të mandatit, t’i kalojë mes presioneve, sulmeve, por edhe braktisjeve të mëdha, pas një loje skematike që vetë ajo e nisi me marrjen e detyrës, e që sot po i shpërbëhet në formën më të shëmtuar. Vila synon shumë, e ka gjetur pikërisht momentin më të mirë për tu larguar, pa rënë shumë në sy, e duke i zbarkuar të gjitha energjitë negative tek kryetarja e bashkisë.

Pasi mori cfarë deshi, nuk la projekt pa kaluar, e duke u kthyer në “pashain” e shërbimeve sociale të bashkisë Shkoder, tashmë ai synon të bëjë të njëjtën gjë në një pozicion tjetër, në një territor të ri, e ku mundësitë që maska t’i bjeri shpejt janë më të pakta. Tashmë Ademi le ta gëzojë këtë braktisje të radhës, e të presë emra të tjerë që do të zbresin nga varka që po i fundoset./ShkodraNews