Gabimet “e pakthyeshme” të PS/ Valdrin Pjetri si kandidat për Bashkinë e Shkodrës, mes kritikave dhe pakënaqësive

Me kritika të shumta dhe pakënaqësi në rritje është pritur publikimi i listës së kandidateve për këshillin bashkiak të Shkodres nga ana e partisë socialiste. 51 emrat e propozuar kanë hasur në kundërshtinë e një pjese të madhe të bazës socialiste, e cila nuk e gjen veten në atë përfaqësim, qoftë për aspektin krahinor, ashtu edhe atë të kontributeve apo balancimin fetar që mungon tërësisht nga partia në pushtet.

Një fakt të tillë madje nuk kanë nguruar t’ia përplasin në fytyrë qoftë kandidatit për kryetar të bashkisë Valdrin Pjetrit, ashtu edhe pjeses tjetër drejtuese në parti, përfshire edhe deputeteve të qarkut që janë firmëtarët përfundimtar të saj.

10-shja e parë e listës, që cilësohen ndryshe të sigurtit sipas bazës në 99% të tyre përfaqësojnë vetëm zonat e qytetit dhe të gjithë i përkasin të njëjtit besim fetar, ç’ka nuk është parë me sy aspak të mirë nga një masë e madhe e votuesve dhe mbështetesve socialist. Gjithashtu shumë prej tyre janë të rinj me shumë pak kontribute në parti dhe që nuk kanë kaluar përmes një filtri. Pakenaqësitë më të mëdha i kanë njësitë vendore, apo ish komunat ku edhe në raport me numrin e këshilltareve ato përfaqësohen në shumicë me vetëm një emer dhe ato të vendosur jo në listë fituese.

Një pjesë e bazës ka kërkuar ndryshim të listës, pasi janë të bindur se në 30 qershor nuk do të zhvillohen zgjedhjet dhe prandaj sipas tyre ky korigjim duhet bërë sa nuk është vonë, pasi e gjitha kjo do të jetë një kosto për socialistët në votime.

E majta i druhet edhe një fakti tjetër, se përballë ajo do të ketë edhe parti aleate që me listën e tyre e rrezikojnë seriozisht përfaqësimin në parlamentin lokal të PS, pasi mund të marrin më shumë këshilltar se kjo forcë politike, ç’ka do të ishte një goditje jo e vogël për deputetet e qarkut dhe vetë kryeministrin Rama.

Një fat të tillë socialistët e patën në zgjedhjet e shkuara kur LSI u mori më shumë këshilltarë dhe arriti ti nxjerrë forcë të tretë, ndonese në mes të lojës me kalimin në opozitë të ish aleatit arritën të rikuperojnë dicka, por sërish pa qënë shumicë në këtë këshill. Gabimet duket se për këtë forcë politike po përsëriten dhe pakenaqësitë po i shton brenda radhëve të veta./ShkodraNews