Gardisti i 21 janarit kandidon në Mat, Rama bën sot deklaratën e papritur për të

Që në momentin kur rrodhën emrat e parë të kandidatëve të mundshëm për bashkitë e vendit, nga socialistët, ai u përfol më shumë.

Bëhet fjalë për një person që ka qenë gardist i Ramës.

Sot, Edi Rama foli dhe për të në konferencën me gazetarët.

Konkretisht për kandidatin në Bashkinë e Matit, Agron Malaj,i cili ka qenë gardist më 21 Janar.

Kryeministri u shpreh se “është e provuar katërcipërisht se Malaj nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit”. Po kaq Rama e cilësoi Malajn si person besnik dhe informator personal në protestën e 21 janarit.

“Unë nuk flas shumë shpesh për 21 Janarin. Kam folur për të pasi lindi nevoja për të bërë një krahasim të thjeshtë. E vërteta është se siç thoni dhe ju, Malaj ka qenë pjesë e Gardës së Republikës, ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht se nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit. Juve që merreni me informacionin dhe të drejtën dhe detyrën, që përpara se t’i vendosni njerëzit në një kornizë shabllone të investigoni.

Është larguar si shumë të tjerë, por nuk është larguar si shumë të tjerë për të konfirmuar fajësinë morale, sepse penale e jep gjykata, por për t’i dhënë mundësi transparencës së të gjithë procesit dhe nga kjo rezulton krejt e kundërta.

Në cilën sferë të imagjinatës mund të shkoja unë për të pranuar një lidership lokal të PS nëse do të ishte fajtor edhe moralisht më 21 janar, por e kundërta është e vërtetë. Ai ka qenë një nga njerëzit që më ka informuar imtësisht për 21 janarin. Jam shumë i qetë për zgjedhjen e tij si kandidat në Mat”, u shpreh Rama.