Gjermanët u presin “biletën” Berishës, Metës, Ramës, Bashës e Monikës. Në burg si Sanaderi

Kreu i delegacionit të Bundestagut solli shembullin e Kroacisë ku kryeministri u fut në burg. Juratoviç tha se në rajon ka konstatuar një lloj sindrome të “sanaderit”, duke nënkuptuar dhe Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe përgatitjet për veprim në Shqipëri.

Gjermanët janë të prerë në atë që thonë dhe bëjnë në vendin e tyre dhe këtë e përcjellin pa asnjë droje dhe tek vendet që i konsiderojnë miq, siç është dhe Shqipëria.

Kështu ka ndodhur dhe ditën e sotme, teksa delegacioni i deputetëve të Bundestagut që kryesohet nga Josip Juratoviç, doli në një konferencë për mediat ku dha mesazhe tepër të qarta për krizën politike në Shqipëri.

Ndërsa kreu i Grupit Parlamentar, Juratoviç u shpreh se zgjedhjet duhet të zhvillohen më 30 Qershor siç e parashikon Kushtetuta, ai ka bërë dhe deklaratën e papritur duke u shprehur se dhe në Shqipëri duhet të zbatohet sistemi “Sanader”. Pra futja në burg e zyrtarëve të lartë.

“Në lidhje me penguesit e ecjes para të reformës në drejtësi dhe integrimit në BE, nuk dua të përjashtoj askënd, as nga politika dhe as nga shoqëria.

Duke qenë se kam përvojë me rajonin, kam konstatuar një lloj sindrome të “senaderit”. Kështu në Kroaci pas anëtarësimit në BE, kryeministri i vendit u dënua me vendim gjyqi dhe u fut në burg.

Ndaj mendoj që është sot më e rëndësishme se kurrë që reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar të bëhet në mënyrë të vendosur, sepse çelja e negociatave duhet të fillonte me kapitujt 23 dhe 24”, deklaroi kreu i delegacionit parlamentar gjerman para mediave.

Më tej ai shtoi se “në një Evropë të tillë është më e rëndësishme se kurrë që ne demokratët të vazhdojmë t’u qëndrojmë besnik vlerave tona”.

Kreu i delegacionit të Bundestagut gjerman, ishte tepër i prerë si gjerman që është ndaj politikës shqiptare, të cilën pa asnjë përjashtim e cilësonte si penguese të ecjes para të vendit.

Juratoviç nuk ka ngurruar të deklarojë që nën shembullin kroat, kryeministra e ish kryeministra, ministra e ish ministra dhe zyrtarë të lartë që kanë abuzuar me pushtetin, pa asnjë dallim, e kanë vendin në burg.

Dhe këtu me sa duket ai ka parasysh futjen në burg që nga ish kryeministrat Sali Berisha e Ilir Meta, e deri te kryeministri Edi Rama, ish ministri dhe kandidati për kryeministër Lulzim Basha, dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e zyrtarë të tjerë të lartë.

Shqiptarët, me aleatë të tillë të mëdhenj si SHBA dhe BE, pjesë kryesore e së cilës është dhe Gjermania, ka shpresë për të ardhmen dhe pastrimin e vendit nga kjo klasë maskarenjsh që na kanë rrjepur për 30 vite me radhë./Pamfleti