Gjesti i madh i 3 të huajve të Vllaznisë, dhurojnë ushqime për familjet në nevojë!



Tre futbollistët e huaj të Vllaznisë solidarizohen me familjet në nevojë në qytetin e Shkodrës. Në këtë periudhë të vështirë për shkak të emergjencës nga koronavirusi tre titullarët e skuadrës kuqeblu, 2 brazilianë dhe 1 moldav kanë bërë gjestin fisnik dhe bamirës për njerëzit në nevojë në Shkodër.



Mesfushori brazilian Hygor ka postuar sot foto ku ka treguar se si bashkë me sulmuesin brazilian Junior dhe me moldavin Sidorenko, u ishin bashkuar nismës së një misioni humanitar në Shkodër, për të ndihmuar familjet në nevojë.



Ata kanë blerë ushqime dhe i kanë shpërndarë sot në qytet, duke dhënë kontributin e tyre që qytetarët shkodranë të kalojnë me sa më pak vuajtje këtë periudhë të vështirë kur jeta e shumëkujt është transformuar plotësisht nga kjo krizë e paprecedent.