Gjoba për ujin, me ligjin e ri nga 50-500 mijë lekë. Ujësjellësit mund të jepen me koncesion ose …

Lidhjet e paligjshme të ujit nga familjarët do të gjobiten nga shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve me 50 mijë-100 mijë lekë. Ndërkohë që nëse kjo shkelje kryhet nga subjektet publike ose private me rrjetin e furnizimit me ujë, ose në rrjetin e kanalizimeve, masa administrative do të variojë nga 100.000 – 500.000 lekë.

Gjithçka përcaktohet në projektligjin “Për Sektorin Furnizimit me Ujë dhe Largimin, Grumbullimin e Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane“ të nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili synon krijimin e një kuadri të plotë ligjor për ofrimin e shërbimit të furnizimit me ujë të pijshëm, të grumbullimit, largimit dhe trajtimit të ujërave të ndotura në të gjithë vendin.

Ndërkaq, në kuadër të mirë-menaxhimit të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, drafti parashikon dhe mundësinë e dhënies me koncesion ose partneritetit-publik privat të këtyre shërbimeve. Këto procedura do të kryhen në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat nga ana e bashkive ndërkohë që studimi përkatës i fizibilitetit i kryer nga njësia e vetëqeverisjes vendore përkatëse për dhënien me konçesion ose nëpërmjet një marrëveshje të partneritetit publik privat do të duhet të miratohet paraprakisht nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe nga Enti Rregullator i Ujit.

Më herët, qeveria ka deklaruar se do të marrë në administrim shoqëritë që nuk arrijnë të performojnë pozitivisht, por me këto ndryshime duket se i hapet rruga administrimit nga ana e kompanive private. Projektligji është edhe në konsultim, ndërkohë që do të duhet të diskutohet edhe në kuvend përpara hyrjes në fuqi.

SCAN