Gjobat për makinat, nuk i keni bërë këtë ndryshim? Merret vendimi urgjent, ja sa afat keni



Për shkak të situatës të rënduar nga koronavirusi në Itali dhe Greqi, Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor shtyn afatin e mosaplikimit të gjobës për mjetet e qytetarëve dhe biznesve që nuk iu është ndërruar pronësia.



Qytetarët që kanë shitur apo kanë blerë një makinë dhe nuk kanë bërë ende kalimin e pronësisë në emër të blerësit, afati i mosaplikimit të gjobës do të shtyhet 1 ose disa muaj të tjerë, deri në stabilizimin e situatës.



Shtyrja e afatit për qytetarët u vendos nga 2 Marsi i këtij viti për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Drejtori i Përgjithshëm i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe tha për “Monitor” se për biznesin afati pa penalitet është deri në 31 dhjetor 2020. Sipas tij shtyrja e afatit erdhi për shkak të situatës të rënduar te vendet fqinje nga koronavirusi, e cila ka penguar lëvizjen.

“Deri në një njoftim të dytë, nuk do të aplikohet, ndërkohë shumë qytetarë e subjekte po aplikojnë si shitësa, duke nxjerrë emrin nga mjeti e duke ju kaluar blerësit njëanshmërisht, online kjo.

Pra procesi vijon me shitësat, ndërsa penaliteti për ata blerësa, që nuk kanë bërë kalimin në emër të tyre (qytetarë) shtyhet deri sa të kalojë emergjenca me lëvizjet e kufizuara Itali – Greqi. Ndërkohë afati për bizneset është 31.12.2020”, tha Gonxhe.

Ky shërbim nisi të aplikohet pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor nga data 15 janar.

Sipas Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor pas përfundimit të afatit fillon aplikimi i masave administrative gjobë për palën blerëse në zbatim të pikës 3 të Nenit 93 të Kodit Rrugor. Masa administrative varion nga 10.000 – 40. 000 lekë.

Si kryhet procedura e regjistrimit të mjetit

Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor sqaron se për regjistrim nuk është e domosdoshme që në sportel të jetë dhe shitësi dhe blerësi. Procedurën për kalimin e pronësisë mund ta kryejë cilido prej tyre, pa praninë e palës tjetër.

-Shitësi mund të paraqitet në sportel me kontratën e shitjes, kontratën e dhurimit ose dëshminë e trashëgimisë (origjinal ose kopje e noterizuar) e cila dorëzohet në sportel dhe vijon me ndërrimin e të dhënave në sistem.

Tarifa për këtë shërbim është 1 000 Lekë.

-Blerësi duhet të paraqitet në sportel me kontratën e shitjes, kontratën e dhurimit ose dëshminë e trashëgimisë (origjinal ose kopje e noterizuar) e cila dorëzohet në sportel dhe nis procedurën për regjistrimin e ndyshimit të pronësisë ose të ndryshimeve të tjera në sistem.

Më pas vijohet me Identifikimin e treguesve teknik të mjetit (kontrollin fizik), azhurnimin e lejes së qarkullimit dhe certifikatës së pronësisë në emër të blerësit.

Tarifa për këto shërbime është 4 500 Lekë (Identifikimi i treguesve teknik të Mjetit – 1 500 Lekë; Leje qarkullimi – 1 000 Lekë; Certifikatë Pronësie – 2 000 Lekë.