Gjobvënia ulet “këmbë kryq” tek opozita e “bashkuar”, pas Agron Dukës tani…



Gjobvënia po funksionon më së miri tek opozita e “bashkuar”. Pas Agron Dukës, edhe aletatët e tjerë po e marrin përpara Lulzim Bashën, duke i vendosur kushte për të kapur një vend të sigurtë nga lista e partisë demokratike në 12 qarqet e Shqipërisë.



Mes tyre nuk mungon as Nard Ndoka që po bëhet gati ti japë një shuplakë të fortë demokratëve të Shkodres, pasi kushti që i ka vendosur Lulzim Bashës është një vend i sigurtë në listën e kandidatëve për deputet të këtij qarku. Nëse kjo do të marrë formë të prerë, ku gjasat janë të finalizohet në këto orë, atëherë PD e Shkodres do të duhet si 4 vite më parë, të mobilizohet për të punuar për Nardin e demokristianëve dhe të sakrifikojë veten, pasi nga 11 emrat në listë do ti duhet të ketë vetem 10.



Presioni që po i bëhet Lulzim Bashës është rritur edhe më shumë në këto orë, duke treguar qartazi lidership të dobët të tij, e në të njëjtën kohë vijimin e strategjisë së kërcenimeve për të siguruar veten në liste, e kryetareve të partive të vogla. Tashmë nuk ka dyshime se ethet e fushatës elektorale kanë nisur dhe goditjen më të madhe pritet ta ketë vetë opozita dhe konkretisht partia demokratike, qe duke futur këto emra në lista të sigurta, bën që mobilizimi i këtyre partive të jetë minimal, e në krahun tjetër të humbet elektorat.

Këtë Basha nuk e kupton dhe nën ethet apo presionin e listës, ai vijon të ecë qorrazi drejt një humnere që rrezikon ti humbë sërish mandate partisë demokratike, ç’ka këtë herë do të ishte më vetëvrasese dhe shkatërrimtare për të. Presionet e partive të vogla do të duhej të ishin zgjidhur me kohë, ku secilës palë ti tregohej vendi dhe të dalë në garën elektorale e barabartë me të gjithë për të matur forcat e maksimalizuar votën, e jo të ndiqet rruga e presionit dhe shantazhit për një vend të sigurtë të kryetareve, që janë kthyer ngjashëm me bajraktarët e dikurshëm. /ShkodraNews