Gjyqtari që ju “minoi” drejtësinë shkodranëve del përpara Vettingut. Fuat Vjerdha drejt përjashtimit nga ky sistem

E hëna e 6 Majit do të përballë kryetarin e gjykatës së Apelit Shkoder Fuar Vjerdha me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Seanca dëgjimore do të drejtohet nga trupi gjykues i përbërë nga Olsi Komici, Pamela Qirko dhe Lulzim Hamitaj.

Pas përjashtimit të kryetarit të gjykatës së shkallës së parë, Arben Zefin, ky vendim pritet edhe më me interes, për të kuptuar se në duart e kujt ka qënë në gjithë këto vite sistemi i drejtësisë në Shkoder. Ata që kanë goditur me forcë çekiçin e drejtësisë, këtë herë do të presin të njëjtin vendim por për kokën e tyre.

Por si nisi karrieren dhe kush është Fuat Vjerdha, që prej vitesh drejton Apelin e Shkodres. Vjerdha e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1994. Për më shumë se një dekadë, ai ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, ndërsa në prill të vitit 2005 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit Shkodër. Paralelisht me punën si gjyqtar, Vjerdha ka ushtruar për pak vite aktivitetin e mësimdhënies në një universitet privat si dhe ka qenë pjesë e trupës së arbitrimit në Federatën Shqiptare të Basketbollit. Ai drejton Gjykatën e Apelit të Shkodrës prej vitit 2014.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Në skedat e pasurisë të cilat vetë Vjerdha ka dorëzuar në ILDKPKI rezulton se gjyqtari Fuat Vjerdha zotëronte pasuri me vlerë 400 mijë lekë në vitin 2003, i cili përkon me deklarimin e tij të parë në ILDKPKI. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare deklarohet në vlerën e 5.3 milionë lekëve, duke shënuar një rritje me 13 herë në krahasim me vitin fillestar. Gjyqtari

Vjerdha zotëron likujditete me vlerë 4.4 milionë lekë, kursime në cash prej 496 mijë lekësh si dhe një automjet në bashkëpronësi me bashkëshorten në vlerën e 290 mijë lekëve. Kreu i Apelit deklaron gjithashtu pronësinë mbi dy apartamente, një garazh dhe një dyqan në qytetin e Shkodrës, por pronat e paluajtshme nuk përmbajnë vlerë financiare për shkak se janë përfituar nga trashëgimia. Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 19.8 milionë lekë. Pjesa dërrmuese e të ardhurave janë siguruar nga paga për shkak të funksionit në masën 93%.

Të ardhurat e tjera rrjedhin nga paga e familjarëve, mësimdhënia dhe dhënia me qira e dyqanit të përfituar nga trashëgimia. Gjyqtari Fuat Vjerdha deklaroi në vitin 2016 se me vdekjen e nënës së tij ka përfituar si trashëgimtar i vetëm ligjor dy apartamente me sipërfaqe 175 m2 të lidhur me njëri-tjetrin, një garazh dhe një dyqan me sipërfaqe 41 m2 në qytetin e Shkodrës. Pronat sipas deklarimit janë përfituar nga kontrata e sipërmarrjes që nëna e tij e ndjerë ka nënshkruar në cilësinë e bashkëpronares së truallit.

Gjyqtari shton gjithashtu se jetojnë në këto ambiente prej katër vitesh, por pronat nuk janë regjistruar ende në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ai deklaron gjithashtu përfitimin nga trashëgimia të së drejtës së kompensimit mbi një truall 965 m2 në Tiranë, mbi të cilin është ndërtuar ambasada hungareze, pasi nëna e tij ka qenë bashkëpronarë e pjesës takuese ideale prej 18/216 e shtëpisë që ndodhej mbi këtë truall. Përveç pasurisë, Vjerdha pritet të ketë jo pak probleme edhe me ceshtjet që ka shqyrtuar ku në emer të tij janë bërë jo pak ankesa. Emri i tij doli në dritë edhe për skandalin e lirimit të Sokol Mjacaj, i cili pas daljes nga burgu vrau dy turistë çekë në Dukagjin, në Korrik 2015.

I riu shkodran Mjacaj ishte dënuar nga gjykata e Shkodrës me 10 vjet burgim për “vrasje në rrethana cilësuese”, pasi rezultonte i përfshirë në vdekjen mizore të një 13-vjeçari, ngjarje e ndodhur në vitin 2011. Mjacaj ankimoi vendimin e dënimit dhe trupa gjykuese e Apelit, në përbërje të të cilës ishte edhe gjyqtari Fuat Vjerdha, e ndryshoi kualifikimin e veprës penale. Vjerdha dhe kolegët e tij e dënuan Sokol Mjacajn vetëm për “sigurimin e kushteve për kryerjen e krimit”, duke ia reduktuar dënimin në 4 vjet burgim. Pasi përfitoi nga ky vendim, Sokol Mjacaj iu kthye aktivitetit kriminal. Në korrik 2015, Mjacaj vret dy turistët çekë Michael Stavos dhe Anna Kasinova, të cilët gjendeshin në Dukagjin për të shijuar bukurinë e Alpeve shqiptare.