Goditje fatale për Sali Berishën, i mbërthejnë ushtarin e radhës në drejtësi

Në datën 11 dhjetor, rrjeta e Vetingut pritet të mbërthejë një tjetër peshkaqen të drejtësisë shqiptare, ushtar besnik i Sali Berishës dhe Ilir Metës. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj është një ndër besnikët e rrallë të Berishës dhe Metës, të cilët shpëtuan në komisionin e nivelit të parë të Vetingut. Çuditërisht ai arriti të konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Por, Komisioneri Publik i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që ta shkarkojë nga detyra Edmond Islamaj, për pasuri të paligjshme. Kolegji ka nisur një hetim të thelluar dhe të ri për Islamajn. Sipas burimeve, Kolegji është i mendimit se Islamaj duhet të shkarkohet nga detyra, pasi nuk justifikon pasurinë dhe se komisioni i parë i Vetingut nuk ka bërë një hetim të plotë dhe të paanshëm.

Nëse nuk ndodh ndonjë surprizë në vijim, Islamaj do të rrëzohet në datën 11 dhjetor. Trupa gjykuese përbëhet nga Luan Daci, Sokol Çomo, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz. Islamaj është emëruar nga Sali Berisha në Gjykatën e Lartë disa javë para se të rrëzohej nga pushteti në vitin 2013.

Para se shqiptarët ta largonin nga pushteti, Berisha me Bujar Nishanin në Presidencë dhe me grupin kamikaz të PD, emëroi ushtarët e tij të fundit në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, për të shpëtuar familjen dhe pasuritë e vjedhura nga drejtësia. Por, pesë vite më vonë, SHBA-BE ia shkallmuan ushtarët në të dy gjykatat, duke ia shkarkuar si të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Edmond Islamaj ka blerë 1 mijë meta 2 tokë buzë detit për vetëm 1 mijë euro. Ai ka bërë 64 udhëtime jashtë shtetit, pa treguar se ku i ka marrë paratë. Të gjithë e dinë se sa kushton një udhëtim jashtë vendit. Bashkëshortja e tij ka blerë apartament 141 m2, dyqan dhe garazh në Durrës me 1 milion lekë. Më pas i ka rivlerësuar. Kjo është një skemë që e kanë përdoruar shumë gjyqtarë dhe prokurorë, përfshirë edhe Adriatik Llalla./Pamfleti