Hapet një televizion i ri, gjigandi CNN vjen në Shqipëri

Një televizion i ri pritet t’i shtohet ekranit shqiptar, qe vjen si bashkëpunim mes kompanisë Gener2 dhe gjigantit mediatik CNN.

Platforma e re televizive do të quhet “A2”.

Ai do përdorë mbulimin e ngjarjeve ndërkombëtare nga CNN, ndërsa CNN do të përdorë pamjet nga A2 në rastin e lajmeve nga Shqipëria.

Lajmin e ka konfirmuar edhe CNN duke thënë se “Ne nuk zbulojmë kushtet financiare të asnjë marrëveshjeje”.

Kanali i ri televiziv që pritet të nisë deri në fund të vitit do të arrijë banorët kudo në Shqipëri, si dhe miliona shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, tha Gener2 në një deklaratë, duke shtuar se zhvillimi i A2 është rezultat i një partneriteti ekskluziv midis Gener2 dhe CNN, transmeton Newsbomb.al.

Televizioni i ri do jetë me qendër në Tiranë. Si një degë ekskluzive e CNN, kanali i ri do të plotësojë programet e tij origjinale duke përfshirë programimin e përzgjedhur të CNN dhe lajmet e përkthyera në gjuhën shqipe, shton deklarata.

Gener2 është një ndër kompanitë më të mëdha private të ndërtimit dhe inxhinierisë civile në Shqipëri. Aktivitetet e saj të biznesit përfshijnë industri të shumëllojshme: ndërtimi civil, infrastruktura dhe ndërtimi i rrugëve, inxhinieri dhe menaxhimi i projekteve, energji dhe telekomunikacion, menaxhimi i pronës dhe shitje me pakicë.