Hapet tregu i parë ‘Gabi’ në Tiranë

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë hapën sot tregun e parë publik të rrobave të përdorura në Shkozë për nxitjen e vetëpunësimit dhe tregtinë ambulatore të komunitetit rom dhe egjiptian.

Tregu i rrobave të përdorura është një tjetër investim që i shërben komuniteteve vulnerabël në Tiranë në këtë zonë. Ai është ndërtuar pranë kompleksit të banesave sociale dhe strehës së re që ofron ndihmën e parë për njerëzit e rrugës. Tregu ka 103 vende shitje dhe të gjithë tregtarët ambulantë përfitues, në vitin e parë të aktivitetit të tyre do të jenë të përjashtuar nga taksa e hapësirës publike.

Përveç punësimit të tyre, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Sociale do t’i kushtohet një rëndësi e veçantë edhe aspektit social, ku pjesëtarët madhorë të familjeve të përfituesve do të asistohen në punësim, si edhe ndjekjes të arsimit para shkollor, duke frekuentuar çerdhen dhe kopshtin për fëmijët e tyre.

Kryebashkiaku ftoi të gjithë komunitetin që merret me tregtinë ambulante të rrobave të përdorura, të shfrytëzojnë këtë mundësi që u është krijuar për të shitur në një ambient me kushte optimale. “Ftesa për të gjithë anëtarët e komunitetit që shesin rroba të përdorura është të vijnë në këtë treg; siç larguam ata ambulantë që shisnin në rrugë dhe në fillim kishte histeri, por sot shihni se sa mirë janë duke shitur në tregjet e bashkisë, të njëjtën histeri presim edhe për këtë zhvillim. Por, histeria zgjat pak, e vërteta, fakti, prova, puna zgjat shumë. Kështu që, pasi të kalojë histeria, do largohemi nga cepat e rrugëve, nga kryqëzimet, nga pluhuri, nga dherat, nga trafiku dhe do shesim në një treg të tillë. Më vjen mirë që ende pa u hapur mirë, tregu është plot”, tha kryetari i bashkisë.