“HESHTJA“, vdekje ma e randë se atentati

Nga mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija

Pyes: Sa herë vdiqe Gurakuq?

Me siguri që ti do të thuesh: të lutem, më len në qetësi, këtu, ku jam. A s’të mjaftoi gjithë jeta e veprimtaria ime, e trazueme dhe e flijueme per Shqipni? Të lutem, tash së paku, më len pa më trazue!

Mendoj: drejt o Gurakuq: Ti i pastri, i drejti, i nderëshmi, ti shembulli I atdhetarisë, ti motorri i pamvarësisë, luftove u perpoqe për liri e qetësi, e tash, këto i ke të shtrejta e lypë, me të drejtë , që mos ti trazojë kush.

  • Më fal! Por, kaluen sa pervjetorë të lindjes sate, po ashtu edhe të vdekjes e askush s’u kujtue: asnji organ shtetnor apo shtypi. Heshtje vorri e këtë rasë, për keq, mbas sa dekadash të vdekjes sate.

Vdiqe!? Jo mor burrë por të vranë. Të vrau mbreti, të cilit, si duket, për meritë të vrasjes sate, të B. Currit, H. Prishtinës, A. Rrustemit etj. i u ngrit monumenti (interesant…, prej nji artistit që ka ba edhe E. Hoxhen!!!) dhe mendohei për mauzoleumin e dinastisë “ZOGU”.

I lumtë Demokracisë së gadi tridhetë vjetëve! Veçse nuk thohet drejtë për drejtë: Baltion Stamolla “të lumtë pushka” (e pabesë).

Kjo kje vedkja e parë e jote, vdekja fizike.

Erdhi përbindshi i kuq. Këtu jo se s’tu përmend emni e s’pat ndonji botim (monografia e P. Takos) e ndonji artikull, por përsa je përmend, peshove tepër lehtë. Universiteti i Shkoders mban emnin tand dhe u ba monumenti i yt, në qendër të qytetit tand. I lumtë Shkodres qi kujtohet për birin e vet, por aty, ku ti e kishe vendin, t’u mohue: NË MONUMENTIN MADHËSHTOR TË PAMVARSISË në Vlonë, nuk t’u dha asnji centimetër vend. E pra, pesha e jote, në 1912-ten ishte aq e madhe, sa s’ka kandar që ta peshojë.

Mos të mendojnë kush, se ka faj Vlona. Ajo të ka pasë e të ka në zemër, deri në të sosun të shekujve.

Atëherë kush: Grupi i skulptorëve apo shteti komunist?!

E din Partia, që po s’a pati diktue, do  t’ia kishte “zhgulë veshin” artistëve, për këtë mungesë absurde por, e justifikoi realizmi socialist: …mbasi Gurakuqi, si shkodran, do të ketë kleçka, sado pak, si prej klerit ashtu edhe prej figurave tjera antikomuniste.

Ka shumë kohë, në nji letër që Gurakuqi i drejton nji mikut të vet, të botueme në nji revistë të herëshme, pat shkrue: “…na kanë fye randë, na kanë quejtë komunista…”, e këtë natyrisht, që komunistët s’mund t’ia falshin.

Megjithë atë, shtëpia e Gurakuqit u shpall “Muze”. Mjaft me kaq, mos tepër bile! Këtë ato s’e kanë thanë me gojë por, me zemër sigurisht që po!

Hëm…, “Shtëpia Muze” ! Vetëm nji pllakë, në krah të nji dere të madhe, që nuk ruen karakterin shkodran, thotë se: “Këtu ka lindë Gurakuqi”, ….e se, …”mbrohet nga shteti”. Kush?! Shtëpia?!…AJO NUK EGZISTON. Pra, ke mbron shteti? Apo e ka prishë vetë? Kështu edhe me Daut Boriçin, kryetarin e degës së Lidhjes së Prizrendit për Shkodren, me Filip Shiroken, Isuf Tabukun, etj. I lanë pa plang e pa shtëpi, e kjo për se vdekuni. A ka hall ma të madh?! Ishte, nji njeri, burrë tepër i ndershëm, mik i Gurakuqit, (Gj. Kamsi), që kur u ba shtëpia muze, dorëzoi nji mori materialesh, që prej teshave të pergjakuna, kunorat, lajmërimet etj., që i kishte ruejtë me fanatizëm prej dekadash, në shtëpinë e tij. Mendim i mrekullueshëm i tij e që plotësoi sasinë e relikeve të shtrejta të heroit, por… ku janë sot?

Këta breza të rij, që rriten, a i kanë pa ndonjiherë dhe a dijnë se ekzistojnë? Edhe në kjoftë se ruhen në muze, vështirë për ekspozim të përherëshëm, për mungesë ambientesh.

Vorri?!

Ndër vorret e deshmorëve ishte e asht nji (vorr) i caktuem për te. Dikur, u pat thanë se erdhën eshtnat e bekueme të Gurakuqit, prej Barit, e u vëndosen aty. Edhe nji (vorr) për Dedë Gjo Lulin, por ky i fundit kje vorrosë në Kishen Françeskane, por, për mos me e lane vetëm, eshtnat e tij u treten në Bunë, bashkë me ata të At Gjergj Fishtës, kur u rropos gjithshka ndër kisha e xhamija.

Pyes vehten sot: … i tiji (vorri i Gurakuqit), a ka gja mbrendë, atje në kodër? Po?! Si duket, Gurakuqi, për brezat e fundit të politikës, i takon tokës. “HESHTJE”. E pra, nji vrasje tjetër kjo.

Fluturoi, tashma kaherë 100 vjetori i pamvarsisë, e ….HESHTJE vetëm për emnin e tij. Dishroj me këtë rasë, që Shkodra të bante diçka, për të ekspozue ata relike, tepër të shtrejta, si dhe (ndoshta absurditet), nji bust, të derdhej në bronx e të çohej në Vlonë dhe të vihej tek kambët e Ismail Qemalit, se kje krahu i djathtë i tij, e ai, me siguri, do të ndjehet ma i fortë, prap si në ditët e Nandorit të madhnueshëm.

Kujtoj, sa përvjetorë të lindjes e të vdekjes së tij, e ….përsëri hiq… Turp! … Edhe ma turp, kur kërkohet që gjakun e tyne të pastër (Gurakuqit, Currit, Gazullit, Prishtinës, Rustemit), ta përlyejnë, tue na thanë e quejtë “ Vllazën të nji gjaku”, me pushtuesit e ndryshëm… E pra, as probatina që i kena pi gjakun njeni tjetrit, nuk jena, …DERDHË PO!?

Fishta thotë: Me gjithkend vllazen e shokë, por seicili n’cak të vet… Nuk paska folë kot, me ato dy elegji për Gurakuqin e Currin. Mirëpo, pyes përsëri: A mbulohet dielli me shoshë? Se kush kje e asht Gurakuqi, dihet prej botimeve të kaherëshme e plotësohet prej intervistave të W. Kamsit, V. Hotit, G. Shpuzës (të gjithë profesorë), të librit të Kolec Çefës etj.

Si ka mundësi të vihet nji eklips artificial, mbi një diell që ka shndritë me forcë token shqiptare?! Përsëri me fjalët e Fishtës së madh: …A ka si i bahet kuej ma tepër dhunë? E vrasësi krekoset në bronx, për vepren e përgjakshme të tij, bile, thohet:…Me këtë nuk errësojmë figurat e tjera… Kulmi! Na në Shkoder thona: O puth kryqin o kërce hendekun…, pra, …djajtë e shejtnit, kurrsesi nuk mund të rrijnë bashkë. Kanë kalue ka herë dy datat e tija: lindja me 19 shkurt 1879 dhe vdekja 2 mars 1925. Prap “HESHTJE”.

Pyes gjithnji: a i del zot kush, sot, në “Demokraci” këtij demokratit të madh, që nuk asht turp që në çdo zyrë demokratike, të jetë portreti i tij? A thue, të gjithë janë pro kësaj heshtje, që përveç se pa shtëpi e pa vorr, duen të jetë edhe pa emen? Historia kështu do të bahet?

Atëherë lutem: shëndritja, Zot, mendjen autoriteteve tona, shkencatarëve tonë, historianëve tonë e atdhetarëve tonë, që të vejnë emnin e tij të pavdekshëm, në piedestalin e Atdheut, për të cilin, shkriu jeten; e në kjoftë se heshtet ma, në këtë botë u baj thirrje shpirtënve e eshtnave të dëshmorëve: Gurakuq, Curr,  Prishtinë, Gazull, Rustem, të mblidhen tok atje në parajsë e si thotë Fishta: Para fronit të Perëndisë, lypni gjyq mbi këta “KAINA” të kunorzuem, që kombin tonë po duen me e pa të sharruem?!

Pyes, …pyes,…Pse linde ndopak o Gurakuq?