Historia e “Cenit të Shijakut”, mjekut shqiptar që shëroi mbi 700.000 pacientë, dhe u mjaftua vetëm me një “faleminderit”

Të gjithë shqiptarët i kanë njohur ose kanë dëgjuar për dy mjekët e famshëm popullorë, Cenin e Shijakut dhe Cenin e Tiranës.

“Ceni i Tiranës”, mjeku Pëllumb Bulku ai që trashëgoi zanatin e babait të tij (Cenit të Shijakut) ishte i ftuar disa kohë më parë në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, nga ku tregoi më tepër për humanizmin e të atit.

Babai im e filloi punën që në moshën 14-vjeçare me bagëti.  Arriti ta perfeksionojë mirë profesionin në 2-3 vitet e para dhe menjëherë u hodh në shërbim të njerëzve. 

Këtë dhunti që e mori prej Zotit ai e përdori me sukses tek njerëzit, por me plagë nuk punoi asnjëherë. 

Shumë shpejt ai u bë i njohur në gjithë Shqipërinë.  Ai mori emër sepse iu përkushtua me humanizëm kësaj pune. 

Ai punonte vetëm me fasho dhe karton, pa krijuar komplikacione.  Klinikën e parë babai im e ndërtoi në shtëpi, ne kishim një dhomë në shtëpi që prisnim pacientët. 

Numri i pacientëve ka arritur deri në 120 në ditë.

Zanatin e tij nisa ta mësoj herët.  Në moshën 14 vjeç e kam nisur edhe unë, po ashtu edhe vajza ime e ka nisur 14 vjeç. 

Unë isha ndihmës i babait dhe kisha punuar shumë me të.  Më vinin shumë nxënës, në fillim për gjëra të vogla, por më vonë u perfeksionova edhe unë. 

Babai e kishte ëndërr që unë të vazhdoja shkollën për mjekësi dhe ashtu ndodhi, pasi mbarova të mesmen më çuan për mjekësi. 

Ai ishte njeri i betuar se nuk do të merrte shpërblime me lekë apo materiale, mjaftohej vetëm me fjalën faleminderit. 

Në duart e tij kanë kaluar mbi 700.000 pacientë.  Në 60 vjet të punës së tij shtëpija jonë ka qenë gjithnjë e hapur. 

Tek babai im ka patur edhe pacientë të huaj.  Pas vitit 90 iu dha “Titulli qytetar nderi” dhe më pas “Nderi i qytetit të Durrësit””, rrëfeu Pëllumb Bulku.