Historia e nënës së re të paralizuar, moderatorja shqiptare ben gjestin e madh



Në emisionin “Abc-ja e mëngjesit” u trajtua rasti i Fiorentina Kukuçit, 22-vjeçares e cila ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe ka nevojë për ndihmën. Në muajin e shtatë të shtatzanisë, një mpiksje gjaku në kurriz u bë shkak që Fiori të paralizohej dhe t’i nënshtrohej një operacioni. Fatmirësisht, Fiori solli në jetë një djalë të shëndetshëm por për shkak të plagës së operacionit, ajo është përballur me temperaturë dhe dhimbje të vazhdueshme.



E ftuar në studio ishte Brikena Prifti, spikerja dhe gazetarja e njohur që ka bërë një gjest të jashtëzakonshëm për të ndihmuar 22-vjeçaren në mënyrë që të marrë trajtimin e nevojshëm të kërkuar jashtë shtetit.



“Shpresuam se ndoshta duke bërë këto masazhet e fizioterapisë ose duke u kujdesur për plagën do të rikuperohej, po nuk ndodhi kështu pasi plaga është akoma e hapur. Duhet me e dërguar jashtë në një spital në Greqi që është i vetmi që e ka marrë përsipër nga kurimi i plagës deri tek fizioterapia.”, tha Prifti.

Duke e bërë rastin publik në llogarinë e saj në Instagram, Prifti u shpreh se kanë arritur të mbledhin 30 mijë eurot që duheshin paraprakisht për dërgimin jashtë, por siç tha ajo është e nevojshme një shumë më e madhe pasi Fiori ka nevojë për ndihmë disa mujore. “Aktualisht e kemi mbledhur shumën si garanci për ta çuar jashtë shtetit, pasi ne donim të paktën 30 mijë euro për muajt e parë. Duke qenë se janë disa muaj trajtimi do të zgjasë shumë.

Gjatë fundjavës e kam nisur këtë fushatë më intensive për ndihmë. Por ka diçka se njerëzit duhet të besojnë dhe kur vendosa ta nxirrja në Instagram e mendova se nuk mjaftonte vetëm kjo, por dhe ndihma e të tjerëve. Kam kontaktuar me të gjithë dhe ka qenë një ndihmë e madhe.”, shtoi Brikena.

Ndërkohë, 22-vjeçarja në një lidhje me skype shprehu falenderimet për ndihmën e dhënë nga moderatorja dhe punën e palodhur që po bën ajo për të mbledhur shumën e nevojshme që asaj i duhet për trajtimin në spital grek. “E falenderojmë shumë se na ka ndihmuar. Punën më të madhe Brikena e ka bërë. Nëse filloj të eci, kjo është falë Brikenës.”, u shpreh Fiori.