Hulumtimi që gr.opos ministren Shahini, shifrat tro.nditëse të shpopullimit të Shkodrës

Ministrja e arsimit Besa Shahini doli me shpejtësi në media këtë të martë, një ditë pas fillimit të vitit të ri shkollor dhe foli për uljen e numrit të nxënësve në shkolla, si një fenomen normal, e që është prezent në shumë shtete. Analizën e saj sipërfaqësore e bëri duke ju shmangur fakteve shumë më interesante, që kanë të bëjnë me këtë largim, pasojave që ato kanë krijuar në sistemin arsimor, që tashme me këtë realitet të ri, kërkon të ketë një qasje tjetër. Vetëm në Shkodër shifrat janë të frikshme, e ku shkodraneës i ka bërë një hulumtim viteve të fundit, se si ka qenë ky trend. Nëse këtë vit në klasë të parë hynë 1200 nxënës, po ti bëjmë një retrospektive vitit shkollor 2018 – 2019, në banka u ulën për herë të parë 1750 nxënës vetëm në DAR Shkoder. Pra e përkthyer në shifra sivjet vetëm në klasat e para mungojnë 550 nxënës. Në total sivjet në të gjitha ciklet e parashkollorit kemi 22 mijë nxënës, ndërsa një vit më parë ishin 26 mijë, apo thënë ndryshe 4 mijë më pak sivjet. Reduktime të frikshme po të mendosh që kemi të bëjme me vetëm një vit diferencë, e jo vit të plote, por ai shkollor. Më herët shifra e nxënësve në sistemin parauniversitar ishte edhe më e lartë ku 3 apo 4 vite më parë shkonte në 28, apo 30 mijë nxënës. Kjo ulje ka dhënë efekte të shpejta e të forta, pasi shumë mësues nuk arrijnë të plotësojnë orët për të përfituar pagën dhe janë të detyruar të shpërndahen nëpër shkolla të ndryshme. Të tjerë rrezikojnë plotësisht vendin e punës, pasi e kanë të pamundur të mbulojnë orët. Për këto ministrja nuk foli, por u kap pas fenomenit që është prezent sipas saj në Ballkan e kudo, pa pyetur si e kanë zgjidhur ato. Me një sistem të fryrë arsimor, e mësues që diplomohen cdo vit e presin për një vend pune, ndërsa në krahun tjetër boshatisen klasa e shkolla, zgjidhja duket e vështirë, e prandaj ministrja dhe qeveria përpara se të dalin me shpejtësi në deklarata sipërfaqësore, duhet të mendojnë për alternativa konkrete zgjidhje, që kjo plagë të mos vrasë arsimin vendas edhe më tej./ShkodraNeës