I deleguari i PS Ilir Beqaj shkel rregullat anti-Covid, takime me mbi 10 persona



I deleguari i qarkut të partisë socialiste Ilir Beqaj vijon të shkelë ligjin duke mos pyetur për rregullat anti – covid, edhe pse thuajse cdo ditë prej disa javësh vendi numëron dhjetra të infektuar dhe mbi 20 viktima.



Ai cdo ditë po organizon tubime politike në shkelje të plotë të rregullave të vendosura nga komiteti teknik, pasi po mbledh më shumë se 10 persona, ndonëse ai tenton ta fshehë imazhin e shkeljes së ligjit me takime që organizon në oborre lokalesh.



Beqaj si ish ministër shëndetësie dhe pjesë e kabinetit qeveritar duhet ta dijë më mirë se të gjithë që grumbullimi mbi 10 persona është shkelje e njëjtë ligji, si në mjedis të hapur ashtu edhe të mbyllur. Dalja në natyre nuk e imunizon atë dhe të tjerët që ndjekin rrugën e tij, të cilët duke përdorur forcën e pushtetit, i shpëtojnë gjobave që në të tilla raste duhet të vendosen.

Çdo takim elektoral nga kryeministri Rama është kërkuar të mbahet duke i respektuar rregullat e komitetit, ose në të kundër do të ndëshkohen me gjobë shkelësit, kushdo qofshin, nga radhët e PS ose jo. Por a do të ketë këtë herë gjobë për Ilir Beqaj?

Kjo do të mbetet për tu parë, ama një gjë është e sigurtë që ai ka disa takime që i ka zhvilluar në këtë formë dhe askush nuk ka reaguar ligjërisht për ta ndëshkuar. Me afrimin e fushatës fenomene të tilla rrezikojnë të përsëriten edhe më shumë nga partitë politike, që ende pa nisur zyrtarisht ajo, janë hedhur në aksion për vota. /ShkodraNews