I lidhur me botën e krimit dhe në arratisje/ Angela Martini flet për herë të parë: Burri mori 10 avokatë por…

Modelja e famshme shqiptare, Angela Martini, prej kohësh është në qendër të mediave sa i përket akuzave që rëndojnë ndaj bashkëshortit të saj.

odelja ka theksuar se në Rumani korrupsioni është i theksuar dhe se bashkëshorti i saj është i pafajshëm, dhe pre e një mashtrimi. Ajo ka treguar se burri i saj ka marrë 10 avokatë për të zgjidhur çështjet ligjore dhe se Shërbimet Sekrete romune kanë abuzuar dhe nuk kanë respektuar ligjin.

Deklarata e Angela Martinit

“Kam parë shumë komente në shtypin shqiptar, të kopjuara plotësisht nga shtypi rumun. Nuk kam dashur të flas përsëri për këtë temë, duke qenë se dhashë një deklaratë të gjatë verën e kaluar. Por do ta sqaroj edhe njëherë gjithçka lidhur me këtë histori:

Bashkëshorti im është viktimë e sistemit gjyqësor rumun. Ai është totalisht i pafajshëm, ai nuk ka bërë asgjë nga ato që e akuzojnë, ata kanë abuzuar shumë, nuk e kanë respektuar ligjin rumun dhe të drejtat njerëzore europiane.

Është një situatë e çuditshme për një vend anëtar të Bashkimit Europian, siç është Rumania. Atje Shërbimi Sekret ka krijuar një linjë paralele që kryesisht kontrollon ilegalisht të gjitha pikat e rëndësishme të vendit: politikën, drejtësinë, shtypin dhe shumicën e bizneseve.

Çdo armik i interesave të tyre gjykohet dhe dënohet. Ata përdorin shtypin për të shkatërruar imazhin e njerëzve dhe urdhërojnë gjyqtarët të dënojnë armiqtë e tyre. 80% e biznesmenëve më të rëndësishëm rumunë janë nën hetim, në emër të “luftës kundër korrupsionit”.

Bashkëshorti im është një prej njerëzve të pakët në Rumani që refuzoi të njihte dënimin ilegal për të ashtuquajturin “bashkëpunim në abuzimin e shërbimeve”, për një biznes absolutisht të ligjshëm që ai krijoi 18 vite më parë!

Të gjithë avokatët që kanë studiuar çështjen e tij ishin absolutisht të shokuar. Bashkëshorti im ka 10 avokatë që merren më çështjen e tij, nga Rumania, Italia, Zvicra, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Pa përjashtim, ata kanë zbuluar shumë abuzime dhe dhunime të ligjit që gjyqtarët dhe prokurorët rumunë bënë në çështjen e tij.

Për ta bërë më të qartë në pak fjalë: bashkëshorti im është një njeri i lirë, ai kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë në burg! Ai iu dorëzua autoriteteve italiane, sepse në këtë mënyrë ai iu bind ligjit dhe po zgjidh problemin e tij. Pasi kontrolluan dosjen dhe situatën e tij ligjore, gjyqtarët italianë e lanë të lirë. Ka akoma disa çështje pezull në Itali, Rumani, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat definitivisht do të zgjidhin situatën e tij. Lajmet që shtypi shqiptar kopjoi nga shtypi rumun janë lajme të rreme. Mos më humbni kohë të komentoj për to!”- është shprehur Angela Martini.

Ndërsa ndër të tjera ajo ka treguar se në këtë situatë të vështirë, në të cilën burri i saj gjendej në arrati nga autoritetet, ajo kaloi një periudhë të stresuar, kur i duhej të flinte vetëm 4 orë gjumë. Megjithatë, tashmë bashkëshorti është i lirë. Modelja shtoi se kjo ndodhi i ka bërë më të fortë dhe më të lidhur se kurrë me njëri-tjetrin.