I nderuar zoti Palmer, shumë dakord që nuk i mbështetni politikanët, por mbështetni popullin shqiptar

Nga Elida Buçpapaj

I nderuar zoti Matthew Palmer, ju sapo dhatë një intervistë tek VOA ku u shprehët edhe rreth situatës në Shqipëri dhe unë vihem në siklet kur i lexoj intervistat tuaja. Jeni diplomat kariere, me eksperiencë të gjatë dhe të respektuar, jeni zyrtar i lartë i DASH, ndërsa unë jam thjesht një gazetare.

Ju shkruani triller me tema nga diplomacia amerikane, unë shkruaj publicistikë dhe poezi. Në fillim të vitit 1992 kam raportuar nga Tirana për VOA seksioni shqip.

Në vitin 1992 më emëruan zëdhënëse të Aleksandër Meksit, kryeministrit të Shqipërisë, por preferova Zërin e Amerikës dhe nuk e pranova atë detyrë.

Kur më larguan nga Zëri i Amerikës pas tetë muajsh, vijova gazetarinë, pa pretenduar post publik.

Kam besuar dhe besoj se në një shoqëri të lirë njeriu i ka më tepër shanset jashtë zyrave të shtetit, por me një kusht themelor që shteti duhet t’jua garantojë këto shanse qytetarëve!

Këtu qëndron çështja, për shkak se shteti shqiptar nuk kryen detyrën ndaj qytetarëve të tij, 3 milionë shqiptarë kanë braktisur vendin.

Midis tyre jam edhe unë! E dini përse. Jam e bija e një poeti dhe publicisti që diktatura e persekutoi mizorisht.

Për shkak se isha e bija e tim eti, diktatura shqiptare kishte vendosur të njëjtën gjë me mua, të më digjte të ardhmen.

Më 1997, kur në pushtet u rikthyen trashëgimtarët e diktaturës dhe shërbyesit e tyre pa u konvertuar kurrë, pa kërkuar kurrë ndjesë dhe pa pranuar kurrë fajet e etërve, për të shpëtur brezin e tretë, dmth nipat e tim eti dhe fëmijët e mi nga i njëjti fat, qëndruam familjarisht në Zvicër, si azilantë politikë dhe ndërkohë vijuam kontributin si gazetarë në kushte shumë të disfavorëshme, sepse dihet se politikanët shqiptarë e luftojnë shtypin e lirë me të gjitha mundësitë e tyre dhe besoj se nuk i kanë të vogla. Ta lësh një gazetar pa punë është njëlloj sikur ta vrasësh. Jam e sigurt se ndani të njëjtin mendim me mua besoj.

Duke u kthyer tek çështja kryesore,

për shkak se shtetarët shqiptarë nuk i garantojnë popullit shtetin e së drejtës, popullit i mbetet ose të arratiset nga vendi, – një lloj spastrimi etnik – ose t’i skllavërohet shtetit që e shtyp me të gjitha mënyrat sikur të ishte armiku më mizor i popullit, përmes diktaturës së varfërisë, padrejtësisë, papunësisë, pasigurisë, etj etj.

Ka edhe një alternativë tjetër që është: ta luftosh këtë shtet kriminal, kur ky shtet ka pushtuar gjithçka.

Në Shqipëri kemi një shtet kriminal me në krye Edi Ramën, që mbetet të jetë kryekrimineli. No doubt!

Nuk them se klasa politike shqiptare në opozitë meriton vlerësime, por Edi Rama i ka tejkaluar të gjitha limitet duke e degraduar sistemin duke e transformuar Shqipërinë një shtet që mbështetet nga mafia. Mafia ka rënë në dashuri me Edi Ramën. Sepse kanë interesa reciproke midis tyre.

E kam të vështirë të komentoj qëndrimet e zyrtarëve të lartë të SHBA, sepse në Shqipëri trashëgimtarët e atyre që dje e akuzonin imperializmin amerikën dhe pushkatonin elitën shqiptare si të lidhur me armikun e partisë që ishin Amerikanët, sot nga maja e pushtetit do të më etikonin mua menjëherë si “antiamerikane”! Kulmi i ironisë!

Por megjithatë, përpiqem ta bëj detyrën, sepse në kauzë është e ardhmja, rinia shqiptare !

Prandaj vazhdoj duke mos e marrë fare parasysh atë proverbin që thotë se “heshtja është e artë”, për ndryshe Zoti nuk do të kishte krijuar të parën fjalën.

Unë startova gazetarinë tek Zëri i Amerikës duke respektuar gjatë gjithë karrierës time si gazetare moton e William Harlan Hale: “Lajmi mund të jetë i mirë. Lajmi mund të jetë i keq. Ne do të tregojmë të vërtetën”.

E lajmet nga Shqipëria janë të këqija, por unë do t’ju them të vërtetën si e mendoj.

Duke u kthyer tek intervista juaj. Më pëlqyen shumë pyetjet e korrespondentes të VOA të shërbimit në gjuhën serbe, Jovana Djurovic.

T’ju them të drejtën nëse do t’ju kisha intervistuar, do t’ju kisha bërë të njëjtat pyetje.

Pyetjet e gazetares janë thelbi i asaj që po ndodh në Shqipëri andaj po i risjell këtu në mënyrë besnike dy pyetjet kryesore:

E para,”Zëri i Amerikës: Departamenti i Shtetit sapo ka identifikuar Vangjush Dakon, kryetarin e bashkisë së Durrësit, për korrupsion të konsiderueshëm dhe i ndalon atij dhe familjes hyrjen në SHBA. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama vazhdon ta mbrojë atë. Çfarë ju thotë kjo për qeverisjen e Kryeministrit Rama?”

E dyta, Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, Partia Socialiste ka kontrollin e Parlamentit, të degës ekzekutive dhe tani, pas zgjedhjeve të qershorit, edhe bashkitë. Pra, në mungesë të gjykatave më të larta në vend, nuk ka asnjë institucion që mund të kontrollojë Kryeministrin Rama në ushtrimin e pushtetit të tij. A jeni i shqetësuar se qeveria e zotit Rama po kthehet në autokrate?”

Në lidhje me pyetjen e dytë, do të qartësoja diçka, këtu nuk është puna se është PS që e kontrollon Parlamentin dhe gjithë institucionet e vendit, jo, Edi Rama e ka nxjerrë jashtë loje PS, Parlamentin dhe të gjitha institucionet i kontrollon me grusht të hekurt Edi Rama me enturazhin e tij, të llojit të Vangjush Dakos, persona të komprometuar nga Edi Rama që vendosin urat midis Edi Ramës dhe mafies.

Nuk po i marr në analizë përgjigjet tuaja. Por po ndalem tek titulli që ka zgjedhur Zëri i Amerikës si thelbin e intervistës tuaj. Ju thoni: “Nuk mbajmë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë.”

Dmth ju nuk mbani anën e askujt, as të shumicës së krijuar me vota të tjetërsuar nga pushteti i Vangjush Dakove me shokë dhe as të opozitës!

Ndaj të njëjtin mendim me ju, pa marrë parasysh faktin se opozita ka humbur pushtetin prej gjashtë vitesh, periudhë kur Edi Rama ka uzurpuar çdo pushtet dhe Shqipëria sot po klasifikohet si narkoshteti i Europës.

Gjithmonë zyrtarët më të lartë Amerikanë kanë thënë se nuk janë me politikanët por me popullin.

Amerika e ka vërtetuar me vepra se është dhe do të jetë me popullin shqiptar.

Të jesh me popullin shqiptar është bekim nga Zoti dhe sakrificë, sepse është populli më i varfër dhe më i vuajturi, 50 vite diktaturë dhe 25 tranzicion horror, për serialë trillerash.

Demokracia në fund të fundit sikur e ka definuar  Abraham Linkoln është “qeverisje e popullitnga popullipër popullin”.

Dhe populli shqiptar sot duhet të drejtohet nga një qeveri e demokratike.

Ju thoni se “Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama, se Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë dhe se ajo që SHBA po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare.”

Më falni cilat institucione mbështesni?

Gazetarja Jovana Djurovic jua tha qartë se “PS kontrollon gjithçka”! Edhe sikur të ishte partia shtet, do të ishte e papranueshme, por është Edi Rama që i kontrollon të gjitha institucionet, sepse ai pretendon se është jo Mbreti Djall por Mbreti Diell që thotë, Unë jam ligji, unë jam parlamenti, unë jam kryeministri, unë jam qeveria, unë jam opozita, unë jam media, unë jam shoqëria civile, unë jam Teatri Kombëtar dhe shkon edhe më tutje se thotë edhe: unë jam SHBA, unë jam BE, unë jam Matthew Palmer. Një lloj çmendurie!

Në fakt Edi Rama ka pushtuar gjithçka, Edi Rama është edhe mafia!

Ju besoni tek institucionet demokratike, edhe unë si ju besoj tek institucionet e dala nga vota e lirë, por në asnjë mënyrë nuk besoj tek institucionet e shtetit që ka kapur Edi Rama bashkë me mafien. Nuk e besoj as parlamentin shqiptar që përfaqësohet me deputetë të ardhur me votën e vjedhur nga bota e krimit, të përzgjedhur me listë direkt nga Edi Rama dhe me deputetë kukulla.

Unë nuk e besoj as kryeprokuroren marionetë që i kish varrosur dosjet e me inçizimet e Vangjush Dakos me nëntokën e krimit dhe pastaj i akuzoi ata prokurorë që nxjorrën sekretin për Bild!

Situata e vështirë, por jo pa zgjidhje.

Pozicioni i SHBA mbi palët dhe me popullin shqiptar është zgjidhja!

Kjo i duhet shqiptarëve, edhe paqes dhe stabilitetit afatgjatë, mbretërimi i shtetit të së drejtës.

Që kërkon mbështetjen e SHBA për mbajtjen në Shqipëri të zgjedhjeve të lira parlamentare, presidenciale dhe lokale, me dy kushte themelor, që të mos jetë Edi Rama kryeministër dhe që të reformohet sistemi zgjedhor, çka i hap rrugën garës të ndershme dhe valorizon votën e popullit.