I nxorën pacientët për leckash jashtë, e turpshme ç’po ndodh me të sëmurët rëndë në Shkodër …

1 vit më parë u larguan me bujë në mes të shiut dhe kushteve aspak të përshtatshme atmosferike, pacientët që ishin të shtruar në sanatoriumin e Shkodrës drejt spitalit rajonal, në një repart të improvizuar. Gjithçka me arsyetimin se godina e vjetër nuk plotësonte kushtet dhe do t’i nënshtrohej rikonstruksionit, falë një projekti që gjoja ministria e shëndetësisë kishte miratuar.

Veprimet u kryen në pak orë dhe më pas mbizotëroi heshtja. Në një dalje për mediat, ish drejtori i spitalit Vilson Masmalaj deklaroi në 1 shkurtin e 2018-es: “Duke patur parasysh kushtet jo optimale që bëhet shërbimi sanatoriumi, t’i zhvendosim pranë ambienteve të spitalit ku kushtet janë më të mira, godina është e re, përkatësisht kati i tretë dhe i katërt. Sanatoriumi do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë dhe prandaj zhvendosja është e përkohshme” përfundoi ai.

Sot plot 1 vit nga ajo datë, spitali nuk ka pacientë, funksionon pjesërisht me shërbime për vizita ambulatore dhe as nuk punohet, e aq më pak të ketë ndonjë tabelë informuese, apo sqarim tjetër. I vetmi ndryshim në të është fakti se sot shkatërrimi prej 1 viti nga lirimi i hapësirave, është shtuar. Jashtë kamere mjekët specialist thonë se kjo është e rëndë, për faktin se godina ka parametrat e duhur për sëmundjet që trajtohen në spitalin e mushkërive. “Nuk dimë çfarë të themi, ju pamjet i keni parë vetë.

Në spital sanatoriumi nuk mund të mbyllet në një repart, pasi janë sëmundje që kanë specifika, mund të jenë fatale për pacientët e tjerë. Ata me tuberkuloz janë dërguar në Tiranë, por a është kjo zgjidhja”. Ndërsa drejtuesit e spitalit nuk pranojnë të japin sqarime, por mohojnë faktin që të ketë një projekt, e aq më pak të kenë dijeni për ndonjë fond të akorduar nga ministria e shëndetësisë. Spitali i vjetër i sëmundjeve të mushkërive në Shkodër ka patur një kapacitet prej mbi 50 shtretër dhe godina e veçantë e ndërtuar në sistemin dikatorial i përshtatej specifikave shëndetësore të pacienteve. Sot fati i saj mbetet në udhëkryq, duke shpresuar vetëm që të mos tjetërsohet, apo prona të gllabërohet siç ndodh rëndomtë në të tilla raste, e të thuhet se i doli pronari.