Ikja e aktorit na trishtoi pa masë, regjisori i njohur tregon sot problemet në filmin “Hijet që mbeten pas”, kur Matilda Makoçi i jep një grusht…

“Për Xhodën tonë, fjalët nuk mjaftojnë, për largimin e tij fjalët vështirë të dalin”…

Regjisori Esat Musliu është i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e kolegut. Xhevdet Ferrin e ka pasur si protagonist në dy filmat e tij “Hije që mbeten pas” dhe “Vitet e pritjes” dhe vlerëson tek ai artistin e madh dhe njeriun dinjitoz. “Ka qenë një aktor i mrekullueshëm. Kam bashkëpunuar në dy filma. Mbeta shumë i kënaqur nga interpretimi i tij në ‘Hije që mbeten pas’, saqë e desha në filmin tjetër, bashkë me bashkëshorten, Rozetën”. E tregon të komunikueshëm dhe të përkushtuar ndaj rolit. “Ishte një aktor i rangut të lartë. Bënte një punë shkencore me rolin. Figura e tij ishte shumë e arrirë nga ana interpretative. Bashkëpunonte me regjisorin, por edhe vetë e pasuronte rolin me shumë detaje”. Miqësia e tyre lindi që kur Ferri qe në vitin e fundit të studimeve në Akademi. “Sigurisht që ai pati një karrierë të shkëlqyer në filma, por po aq dinjitoze qe edhe karriera e tij administrative. Ka qenë dy herë drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, drejtor i Teatrit Kombëtar, por edhe deputet për një periudhë të shkurtër… kudo la gjurmë të mira”.

Asnjë nga këto funksione nuk e cenoi personalitetin e Ferrit, siç miku i tij tregon, përkundrazi ai ishte gjithmonë bashkëpunues dhe në shërbim të kulturë e artit. Kontributi i Xhodës me 30 role si aktor në kinematografi është i vazhdueshëm dhe sigurisht që për të konsoliduar figurën e tij, i është dashur të përballet edhe me momente të vështira në sheshxhirim, derisa skena të ishte në perfeksion. “Te filmi ‘Hije që mbeten pas’, ka qenë një skenë shumë e vështirë, ku Xhevdeti në rolin e Agronit është te shkallët e Amfiteatrit, te Liqeni Artificial, dhe zbulon sekretin e hetimeve, që po i bëhen të atit të partneres, Matilda Makoçit (Marjeta, në film). Ishte tepër e fortë skena kur Matilda i jep një grusht me para, që të mbyllej çështja e babait të saj. Një moment tepër dramatik që Ferri e përballoi me nivel të lartë artistik”, tregon Musliu.