Institucionet në Shkodër harrojnë punën e i përvishen fushatës, PS “urdhër” për ndëshkime elektoratit “të pabindur”



Sa më shumë që afron data e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit, aq më shumë institucionet në Shkodër kanë nisur të lëshojnë pa duar punën në terren duke ju përkushtuar fushatës. Me dhjetëra denoncime kanë mbërritur në redaksinë e Shkodranews, se si drejtuesit e drejtorive rajonale prej javësh kanë përveshur mëngët në fushatë, duke lënë mënjanë detyrimin që kanë për të ofruar shërbime ndaj qytetareve, me taksat e të cilëve paguhen.



Këto të fundit përveçse kanë nisur hartimin e listave duke kërkuar nga punonjësit kartat e identitetit dhe numrin e votuesve qe do të sjellin për të votuar partinë socialiste me 25 prill, gjithashtu i janë përkushtuar punësimeve sezonale politike, e duke mos pyetur për detyrimet e tjera që kanë si drejtues të këtyre drejtorive.



Fenomen ky që po haset kudo, e ku urdhëri i dhënë në këtë periudhë prej drejtuesve politik është që të shmangen gjobat apo penalitetet që rrisin pakënaqësitë tek qytetarët. “Duhet të jemi të kujdesshëm në shërbime, të mos krijojmë pakënaqësi që mund të na ndikojnë në vota, si dhe të veprohet me ritëm në ato zyra ku janë pritshmëritë më të mëdha si kadastra, OSHEE, sigurimet, tatimet apo patentat. Jemi në muaj delikat dhe duhet të demostrojmë një sjellje krejt ndryshe”, mësohet të jetë mesazhi i shpërndarë tek të gjithë drejtuesit e drejtorive rajonale.

Edhe inspektoriatet që janë në terren këto muaj janë porositur të marrin rol këshillimor e jo të vendosin gjoba, si në rastin e inspektoriatit shendetësor, hetimit tatimor, AKU etj.

Një praktikë e tillë ndiqet sa herë ka zgjedhje e ku duket se as këtë herë nuk ka strategji tjetër prej socialistëve, me qëllim që pas 8 vitesh në pushtet, të mos marrin goditje të tjera nga votuesit, së paku elektorati i majtë. Por burimet thonë se në jo pak raste tek rivalët politik po përdoren presionet dhe format e tjera të ndëshkimit, si një hakmarrje politike./ShkodraNews