Interesante, koha kur Vllaznia luante “si Barcelona”

Mund të duket e habitshme, por me fanella jo të ekipit, lojtarët e Vllaznisë kanë luajtur në dy ndeshje. Bëhet fjalë për fanella të dhuruara nga klubet e huaja pas takimeve ndërkombëtare. E një gjë të tillë e zbulon vetë ish-lojtari i njohur i Vllaznisë, Fatbardh Jera.

Në një prononcim për PanoramaSport, Jera zbulon se Vllaznia ka luajtur me fanellat e Buduçnostit në dy takimet e kupës së Shqipërisë. “Pak mund ta dinë se në finalen për Kupën e Republikës me Flamurtarin, atë të vitit 1988, ne në të dyja takimet kemi qenë me të bardha. Ishin të Buduçnostit dhe na i kishin dhuruar pas një miqësoreje të zhvilluar pak kohë më parë në Titograd e Shkodër, ku luajti dhe Saviçieviç, lojtar i ri në atë kohë.” – thekson Jera.

Më tej, ai shton: “Përsa i përket fotos me uniformat e Barcelonës them se ka qenë një gjest i rrallë, i një miku, dashamirës i sportit, pasionant e tifoz i Vllaznisë, Masar Zeka, ndaj të cilit duhet të jemi shumë mirënjohës, sepse e kanë harruar. Në vitin 1987, i ndodhur me punë në Spanjë, bleu me paratë e tij për ekipin e Vllaznisë uniformën e Barcelonës. Ishin me vija vertikale, me ngjyrat tona kuqeblu, siç e tregon fotoja e bërë në Shkodër, para një ndeshje gjatë sezonit ’87- ’88. Pas një viti ai solli edhe një të dytë.” /ShkodraNews