Irfan Hysenbelliu sqaron të vërtetën e mbylljes së dy emisioneve në News24, zbulojeni kush është arsyeja

Mbyllja e dy emisioneve kritike me qeverinë ne News 24, “Të paekspozuarit” i Ylli Rakipit dhe “Krasta/A Show” i Adi Krastës u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.

Presidenti i Focus Group, Irfan Hysenbelliu hodhi poshtë zërat se mbyllja e emisioneve vinte si pasojë e presionit të qeverisë dhe i motivoi spostimet e dy gazetarëve me “reformën e brendshme”. Ai tha se televizioni kishte në projekt një emision të ngjashëm nga e hëna në të enjte, me një prej analistëve më të njohur në vend, ndërsa shtoi se ishte menduar që “kjo i shkonte më shumë natyrës së televizionit”.

“Nuk kanë guxuar të më bëjnë presion as kjo qeveri dhe asnjë nga qeveritë e kaluara. Kjo është arsyeja që mediat që zotëroj kanë audiencën dhe besueshmërinë më të lartë në treg.”, tha Hysenbelliu për BIRN. “Zotin Rakipi nuk e kam marrë asnjëherë në telefon për përmbajtjen e emisionit. Po të kisha pasur presion, do kishte pasur dhe ndërhyrje,” iu përgjigj ai akuzave.

I pyetur për ndërprerjen para kohe të kontratës, Hysenbelliu u justifikua me faktin se edhe Ylli Rakipi më herët nuk e kishte respektuar një kontratë me televizionin, duke e lënë televizionin në mes të sezonit, por ishte punësuar sërish prej tij.

Sa i përket emisionit “Krasta/ A Show”, Hysenbelliu tha se Adi Krastës i ishte ofruar një hapësirë tjetër televizive në fundjavë dhe se “i takon atij të vendosë”./BIRN