Ish-lojtari i Vllaznisë: Në 10 vite Vllaznia është vjedhur, drejtuesit të zhduken fare

Në 100-vjetorin e Vllaznisë, ish-lojtari i kësaj skuadre, Hysen Dedja, gjen rastin për të hedhur akuza ndaj drejtuesve shkodranë. Në këtë përvjetor jubilar, ai thotë se nuk ka marrë asnjë ftesë. Në një prononcim për PanoramaSport do të shprehej:

“E kam ndjekur gjatë gjithë këtyre ditëve nëpërmjet rrjeteve sociale dhe e di që dje ishte 100-vjetori i Vllaznisë. Por, nuk më ka marrë askush në telefon nga Shkodra dhe asnjë lajmërim apo mesazh. Kam luajtur 17 vite me Vllazninë si lojtar ku kam fituar 3 tituj dhe dy kupa të Shqipërisë. Por, nuk ka pasur asnjë njoftim apo lajmërim. Ndiej kënaqësi kur shoh në rrjete sociale foto të asaj periudhe, por asgjë më shumë.”

Por, më pas Dedja shpërthen në akuza ndaj drejtuesve.

“Nuk është problemi që skuadra në këtë 100-vjetor luan në Kategorinë e Parë. Por më vjen keq që prej 10 vitesh rripet e vidhet Vllaznia. Aty luhet futboll që të marrin para ata që e drejtojnë dhe jo për futbollistët. Nuk ka më traditë. Ato që kanë drejtuar Vllazninë në 10 vitet e fundit duhet të zhduken fare. Kanë futur një psikologji shumë të keqe në futboll, të cilën Shkodra nuk e ka pasur kurrë. Edhe atë krenari që ka pasur Shkodra, këta drejtues e kanë ulur. Nuk kam asnjë ego personale që të shkoj e të drejtoj, por po i them këto gjëra vetëm se më vjen keq. E keqja e kësaj pune vjen nga bashkia.” – thekson ndër të tjera ish-lojtari i Vllaznisë. /ShkodraNews

Lexo edhe: