“Isha entuziaste për përballjen me Kujtim Gjuzin, por kur më foli për pompat…”

Përballja e tyre në emisionin e Artur Zhejit, ku tema ishte mbi modernizimin e shqiptarëve e ktheu Linda Rein në Shqipëri, kësaj here të ulur në një tryezë me disa personazhe të tjerë nga fusha e politikës, kulturës apo fesë. Debati kulmoi me përballje të forta dhe dialogu i saj televiziv me kryetarin e Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, u bë hit në internet.

Për paskuintat dhe përjetimet e një përballjeje të tillë televizive në nivel opinionistësh, statusin e saj shpirtëror, preferencat që ka për meshkujt dhe stilin e jetës së asj, i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Debati yt me kryetarin e Partisë Konservatore, Kujtim Gjuzi, bëri bujë në media. Çfarë të acaroi vërtet nga ajo përballje publike? 

Të jem e sinqertë, pas temës “A janë modernë shqiptarët”, kur folëm për intervistën e dija shumë mirë që do të ishte i ftuar edhe Kujtim Gjuzi dhe isha entuziaste për çfarë më priste. Thjesht nuk e dija që niveli i kulturës dhe inteligjencës do të ishte aq skandaloz dhe i turpshëm. As nuk di ç’lidhje kishin të ftuarit me temën e modernizimit se dukej sikur kishin futur majmunët në shkollë, të cilët vetëm se na ngjajnë, por nuk mund të mësojnë asgjë.

Përplasja me Gjuzin bëri bujë thesht sepse ishte një përplasje aq hipokrite dhe pa bazament, pasi më dukej sikur flisja me një qenie që nuk dinte ç’të thoshte. Në fakt, një nga përgjigjet e tij që më bëri përshtypje ishte kur tha: “Unë Gjuzi jam në gjendje të bëj 50 pompa“.(qesh) Atëherë i thashë vetes: Hej, për çfarë po flasim? Sikur dikush të më pyesë sa bëjnë 1+1 dhe unë të përgjigjem: Sot kam përdorur buzëkuqin ‘Chanel Rouge’. Zot!

Çfarë më acaroi? Thjesht mungesa e edukatës dhe e kulturës. Sidomos psikologia, që realisht çdo gjë mund të ishte ajo zonjë, por jo psikologe sepse kishte argumente personale dhe jo të bazuara në shkencë. Mendoj se në Shqipëri duhet të mbyllin fakultetet me pagesë se realisht, nëse ndonjëri shkon të bëjë psikoterapi, thjesht po i fal paratë. Po ja ku dalim prapë kur thashë që Gjuzi është “injorant”, sepse një politikan duhet të paktën të njohë ligjet është apo jo dakord me diçka.

Ndër të tjera, ai tha se ti nuk mund të fitosh shansin që të quhesh nënë. Kur të thonë kështu, çfarë argumenti të fortë mund të kesh që të vërtetosh të kundërtën? 

Ekziston ligji që unë nëse dua, mund të birësoj një fëmijë si shumë nëna që kanë birësuar dhe ata fëmijë u thërrasin “nënë”, sepse është shumë i qartë fakti se nuk është baba ose nënë kush të lind, por kush të rrit. Kështu që, më vjen keq që në shtetin tonë kemi njerëz që bëjnë politikë dhe janë deputetë, kur s’kanë dijeni mbi punën e tyre.

Hej, unë e kam shprehur shumë herë që nuk dua të bëhem nënë, thjesht se nuk ndiej që është momenti. Por një ditë, ndoshta do të vijë momenti dhe do të jem e ndershme ta pranoj.

Të qeshura në studio shkaktoi mënyra si i drejtoheshe, duke i thënë “zemër”, fjalë që ai ta ndaloi. Mos ndoshta të tërhoqi pak seksualisht Gjuzi? 

Të qeshurat në studio ishin për përgjigjet e mia. Dhe arsyeja pse e thërrisja “zemër, xhan, o jetë”, ishte
se nuk jam ndierë aspak e prekur ose e fyer nga fjalët e tij, sepse nuk kishin peshë ose rëndësi për mua. Në fakt, ju kujtoj intervistën me Rudinën, si u acarova dhe si e ndërprisja ose e korrigjoja çfarë thoshte, se në realitet Rudina foli për gjëra reale dhe me bazament, por që thjesht nuk më përkisnin dhe u ashpërsova.

Por me Gjuzin jo, sepse realisht nuk kam pasur asnjëherë debat me një person kaq “injorant” sa Gjuzi dhe për injorant e kam për kuptimin letrar të fjalës. Mos vallë më tërhoqi seksualisht? Pyetja më ofendon se më njihni mirë, të paktën me anë të intervistave që kemi bërë. Kështu që, po ju përgjigjem me një pyetje. Mos vallë Gjuzi ngjason me Robert Berishën, për të cilin e kam shprehur simpatinë time hapur?

Ndryshe ndodhi me Laert Vasilin, i cili u tregua pak më dashamirës me ty. Takon shpesh djem si ai që të bëjnë të ndihesh mirë apo e pranuar? 

Nuk mendoj që Laert Vasili ishte dashamirës me mua, thjesht ai shprehu konceptet e idetë e tij dhe tregoi që kishte kulturë mbi historinë dhe argumentoi çfarë tha. Po dashamirës, pse?

Jo vetëm me meshkujt, por edhe me femrat ke pasur përballje në atë debat. Ç’emër do t’i vendosje atij konflikti? 

Kur vlen zero përpara gjithë Shqipërisë, duke qenë se ka ushtruar edhe dhunë me një vajzë te “Kafazi i artë”, për mua Silvana Bushati është pa kulturë dhe e pazonja për të argumentuar asgjë. Do t’i thosha: “E lehtë të gjykosh dikë, por kur unë të argumentova dhe vura pikat mbi ‘i’, ti ule kokën dhe gjysmën e emisionit nuk fole, por ngele me telefon në dorë”. Fjalët vrasin më shumë se plumbi dhe unë e pushkatova me argumente.

Nisur nga Gjuzi, që tha se nuk të gjendet mosha, a je gati ta zbulosh atë? 

Nuk më dihet mosha. (qesh) Hej, ky është kompliment. Nejse, nuk është sekret, jam 30 vjeçe.