Ishte djalë i vetëm, çfarë shkruante para se të binte nga skela Ergysi, fotot dhe fjalët që përlotën Shqipërinë

Një aksident në punë i mori jetën dy të rinjve dhe plagosi tre të tjerë, ndërsa ishin duke punuar për rikonstruktimin e një pallati në Rrugën e Elbasanit në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 16 gusht, kur të rinjtë që ndodheshin mbi skelat e firmës “Skela Syla”, ranë nga lartësia e katit të gjashtë, pas shembjes së saj nga mungesa e sigurisë.

Viktimë mbetën Orjan Kodra, 36 vjeç, dhe Ergys Brahimaj, 31 vjeç, ndërsa të plagosur mbetën punëtorët Gentian Bardhi, 44 vjeç, Euglidios Lika, 34 vjeç dhe Altin Marku, 40 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Policia e Tiranës arrestoi një ditë pas ngjarjes dy drejtues teknikë, atë të kompanisë që kryente termoizolimin e pallatit ku ndodhi incidenti dhe atë të shoqërisë së skelave, si dhe ka shpallur në kërkim edhe administratorin e firmës “Skela Syla”, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”, shkruan Panorama.

Reagimet për dy të rinjtë të cilët mbetën viktimë në vendin e punës, kanë qenë të shumta.

Për djalin nga Gramshi, Ergys Brahimaj, disa faqe në Facebook të këtij rrethi i kanë dedikuar postime të ndjera, duke shprehur hidhërimin dhe befasinë e keqe me të cilën i përballi ky lajm.

“Gramshi Turistik”, ka ripostuar një foto të cilën Ergysi e kishte shpërndarë në faqen e  tij të Facebook, në datën 23 korrik, ndërsa qëndronte mbi skela, tregonte dorashkat në duar duke shkruar: Siguria është e para

“”Siguria eshte e para”
Fjale te thena nga Ergysi,djali nga Gramshi qe humbi jeten sot ne aksidentin qe ndodhi me skelat ne pune ne Tirane!
Shoku im ti,urtësia,zgjuarsia dhe mirësia jote nuk kane Per tu harruar kurre!
Zoti na dhente force Per ta përballuar kete humbje!”, është mbishkrimi i bërë nga “Gramshi turistik” mbi këtë foto.

Ergysi, djalë i vetëm i familjes me katër anëtarë, u përcoll sot në orën 11:00 për në banesën e fundit.