Izmira Ulqinaku, një Jozefinë e dytë për Bashkinë Shkodër?

Lulzim Basha nis projektimin e humbjes së Shkodrës, duke i bërë keq llogaritë politike, e duke ofruar një model të shëmtuar me emrat që ju besoi kryesinë. Qarku më i madh e që ndër vite, edhe ato më të vështirat për Shqipërinë dhe demokratët, ka qenë lokomotiv që i ka paraprirë fitoreve të selisë blu, u përfaqësua me vetëm një emër, atë të 28 vjeçares Izmira Ulqinaku.

Arkitekja e re e cila e nisi karrierën politike si zëdhënëse e partisë demokratike në Shkodër në 2016-en, u katalputua në kupolën e lartë. Më shumë në fakt kjo ngjitje ngjau si një shtytje që ju bë emrit të saj, sesa nga profili politik, apo lufta e fortë që Ulqinaku bëri në kuvend, e aty ku janë përballjet e tjera të opozitës. Nuk dihet se mbi çfarë baze e ka bërë përzgjedhjen e kandidaturave që i paraqiti për votim Këshillit kombëtar Lulzim Basha, por qartazi dallohet që është larg listës dhe modelit të PD-së historike të Sali Berishës,  ku selektimi i atyre që ngjiteshin në forumin që merrte vendimet më të rëndësishme politike do të duhet të kalonin më parë tre elementë; atë të kontributeve në parti, shpërndarjen gjeografike dhe përkatësinë fetare.

Të gjitha këto Basha i zeroi dhe Shkodra doli zbuluar e ngjashme me qytetet ku ndër vite PD ka vulosur humbje të forta, apo edhe më keq, ku atje të paktën si në rastin e Durrësit që për demokratët mbetet mollë e ndaluar, në këshill shkuan prej këtij qarku dy deputet. Kjo tallje e Lulzim Bashës e ka një përkthim, urrejtje patologjike për veriorët, e që e ka shprehur në shumë dalje të tij, e specifikisht për katolikët që nuk ka hezituar disa herë t’i etiketojë në forma nga më të shëmtuarat, e aspak të pranueshme për liderin e opozitës.

E duke ju kthyer përzgjedhjes aspak përfaqësuese, Lulzim Basha ka harruar shumë detaje të tjera nga pas. Ai me siguri mund të ketë preferuar të ndjekë në hije modelin Berisha që në Shkodër promovoi figurën e Jozefina Topallit, por natyrshëm Ulqinaku është vite larg, qoftë për arsimin, kualifikimet, historinë familjare dhe atë çfarë realisht përfaqësonte gruaja e hekurt e partisë demokratike, ish kryetarja e kuvendit Topalli. Sepse listat Basha nuk kalojnë filtra, por janë preferenca selektive që në thelb nuk kanë asnjë lidhje me atë çfarë realisht duhet të përfaqësojë një parti, aq më shumë opozitare që duhet të përballet me sfida më të vështira.

Topalli përfaqësonte shumë për kohën, një folëse e 4 gjuhëve të huaja asaj angleze, italiane, frënge dhe ruse. E diplomuar në dy fakultete; atë të Matematikës dhe të Drejtësisë në universitetin “Luigj Gurakuqi”, studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Padovës, në Itali dhe u diplomua për master “Administrim publik” në Universitetin e Tiranës dhe master-kandidate në “Studime europiane”, Jozefina Topalli ishte më shumë një “backround” që i rriste pikë Sali Berishës që ndodhej asokohe në ditë të vështira me ndërkombëtarët.

Një pinjolle e familjeve të persekutuara dhe që kishte vuajtur mbi supe regjimin. Ndërsa modeli Basha, një deputete e re pa shumë përvojë profesionale, e shumë më pak në politikë. A do të arrijë Ulqinaku që të përballet siç bënte Jozefina Topalli me të fortët e politikës, e shpesh edhe ato të krimit? A mundet ajo të udhëheqë demokratët drejt sfidave të vërteta që e presin? Shumë pikëpyetje janë ngritur pas dhe vetë demokratët e Shkodrës kanë mbetur të surprizuar nga një përzgjedhje e tillë, që ka lënë shijë aspak të mirë, në një kohë që qarku bastion i PD-së, shpërfillet në këtë formë.

Zëra të shumtë e lidhin këtë me promovimin që Basha do ti bëjë figurës së Ulqinakut për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku ajo shihet si një kandidate e mundshme që të ulet në karrigen ku sot qëndron Voltana Ademi. Mbetet për tu parë por me pakënaqësitë që ka krijuar Basha dhe me modelin që po tento të fusë, po rrezikon seriozisht që me Shkodrën t’i humbë llogaritë e kjo do të ishte goditje fatale për PD-në./ShkodraNews