Ja emrat e mundshëm për kandidatë për kryetar bashkie të PS Shkodër

Ndërsa Partia Demokratike ndodhet e përçarë, me shumë klane brenda saj, gati një luftë klasash dhe një egërsi për të kapur kandidatin për kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të 2019 tashmë disa emra kanë nisur që të përfliten edhe në PS Shkodër si kandidatë të mundshëm.

Sipas burimeve një prej emrave të përfolur është ai i Genc Bërhanit. Një bankier në profesion Bërhani shihet si një mundësi kandidimi, një intelektual i ri që mund të përfaqësojë Shkodrën.

Emri i dytë është sërish një emër i njohur. Bëhet fjalë për mjekun Asteit Beci, aktualisht drejtor rajonal i shëndetit publik dhe më parë deputet i PS në Parlament. Beci ka nje stof politik dhe të gjithë e njohin natyrën e tij dhe e rendisin si një prej figurave më përfaqësuese në radhët e PS Shkodër.

Nuk është i vetmi mes mjekëve sepse nga kjo fushë një kandidat i mundshëm është edhe Gëzim Galiqi. Aktualisht anëtar në këshillin bashkiak të Shkodrës, Galiqi është një mundësi për të kandiduar për kryetar bashkie në radhët e socialistëve. Galiqi është edhe një prej zërave më kritik në sallën e këshillit bashkiak.

E fundit por më pak e mundshmja me kalimin e muajve dhe potencialet dhe forcën politike që sa vjen dhe i zvogëlohet është deputetja e PS dhe zëvendëskryeministrja Senida Mesi. U mendua se ajo u gradua në atë post pikërisht për të ardhur më pas si kandidate për bashkinë Shkodër por Mesi nuk ka ditur që ta shfrytëzojë të qenurit numri dy i qeverisë. Zëri i saj dhe forca politike është e papërfillshme ndaj kryeministri Rama po mendon emra të tjerë. Muajt po afrojnë dhe interesante është edhe në PS se kush do të jetë kandidati për bashkinë Shkodër./ShkodraNews