“Ja kush duhet të jetë trajneri i ri i Vllaznisë”

Largimi i trajnerit Hasan Lika nga ekipi i Vllaznisë nuk është se ndikon tek skuadra, pasi Vllaznia me 99% është në Superiore, por trajneri i parë duhet të zgjidhet sa më shpejt. Shprehet kështu në një prononcim për Shkodra.News drejtori teknik i Akademisë Vllaznia, Alban Hasani, i cili tregon edhe emrin e atij që duhet të mbyllë këtë sezon në krye të Vllaznisë.

“Besoj se në një ekip profesionist pas largimit të tranjerit, teknikisht ekipi duhet ti kalojë ose drejtorit teknik ose trajnerit të ekipit B, që në këtë rast është Ervis Kraja. Nuk e kuptoj përse e zgjasin kaq shumë. Por, gjithashtu dua të them se kushdo që e merr ekipin në këtë situatë duhet të ketë mendjen për të ndërtuar ekipin e Superligës dhe të shohin lojtarët që nevojiten për Superligë sepse dihet që është një nivel tjetër. Vllaznia tani e ka siguruar me 99% Supeligën dhe nuk besoj se ka ndonjë problem të madh largimi i Likës. Familja është kudo e para dhe ishte i detyruar për një zgjedhje të tillë.”

Hasani flet edhe për garën tek grupmoshat e kampionatit shqiptarë, ku shton: “Përsa i përket akademisë më vjen mirë që përseri ekipi i U-19 është në vend të parë sepse këtë vit lufta ka qenë shumë e fortë me ekipe si Tirana, Shkëndija, Partizani, të cilat janë pretendente kryesore. Por përkushtimi i madh i trajnerëve Zmijani – Kola dhe i lojtarëve kanë bërë të mundur të jemi në vend të parë. Kemi besim se edhe U-17 do jetë në play-off, duke pasur parasysh rritjen drastike në fazën e dyte. Nga ana tjetër them se lojtarë si Hoxha e Qardaku duhet të jenë në kombëtaren U-20, sepse janë më të mirët e kampionatit.” /ShkodraNews