“Jam krenar për të”, Basha në takimin me të rinjtë: Klevis Balliu burg politik, më tha t’ju jap një mesazh…

Kreu i PD, Luzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë dhe qytetarë të Pogradecit, ka folur për arrestimin e Klevis Balliut pak ditë më parë.

Basha u shpreh se Balliu po mbahet në burg vetëm sepse doli në krah të banorëve që sipas tij po dhunoheshin nga policia, ndërsa shtoi se Rama ka vendosur të rikthejë burgun politik.

“Na mungon dikush sot sepse Rama ka vendosur të kthejë burgun politik, Klevis Balliu, i cili mbahet me urdhër politik sepse qëndroi në krahë të qytetarëve që po i dhunonte policia. Unë jam krenarë për të, dhe mesazhi që ju çon është që të qëndrojmë edhe më fort edhe më të bashkuar në krahë të njerëzve de ta tregojmë veten fuqimisht të shtunën më 11 maj në Tiranë”, u shpreh Basha.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Dështakët kanë frikë nga suksesi dhe nga të suksesshmit. Nuk është rastësi që Edi Rama e ka rrethuar veten me kriminelë, me të pashkollë, milionerë me katër klasë. Vetëm në Shqipëri bën vaki. Për një arsye të thjeshtë, sepse ka frikë nga të shkolluarit, ka frikë nga të aftit, ka frikë nga talentet Prandaj ka shkatërruar edhe sistemin arsimor. I shërben injoranca. Një njeriu të paaftë, të dështuar, që 6 vite nuk vendosi një tullë në ekonominë, në demokracinë e në shtetin ligjor shqiptar, por shkatërroi shumë investime 29 vjeçarw, një njeriu të tillë i bëjnë hije të rinjtë e kualifikuar, të rinjtë e arsimuar.

Si është më lehtë ta sundosh dhe ta shtypësh një popull, kur është injorant apo kur është i arsimuar? E pra, pyetja është e qartë, edhe përgjigja e Edi Ramës është e qartë. Investon tek injoranca, investon tek injorantët. Do që ta mbajë rininë injorante dhe të paditur. Por nuk ka për t’ia dalë dot.

Kjo kryengritje demokratike ka një qëllim: ta çlirojë Shqipërinë nga qeverisja e lidhur me krimin, ta çlirojë ekonominë nga oligarkët dhe korrupsioni galopant, përmes kthimit të lirisë numër 1, pa të cilën nuk mund të ketë as liri, as mundësi të tjera: Pa lirinë e votës nuk ka asnjë liri tjetër, nuk ka mundësi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka Europë.

Prej 6 vitesh na mbyllet dera e Europës. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen, pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë, gënjen. Dhe shqiptarët janë të zgjuar, nuk i pranojnë, as nuk i hanë gënjeshtrat. Ka 6 vite që na mbyllet dera e Europës dhe ne e dimë të gjithë se pse. Sepse në vend që ta luftojë krimin, qeveria lidhet me krimin. lidhet me krimin që të mbajë pushtetin edhe kur populli do që ta largojë me votë. Lidhet me krimin dhe oligarkët që të kapë ekonominë dhe të pasurohet në kurriz të njerëzve të ndershëm, madje modelin e krimit e ka sjellë edhe në universitete.

Në fakt betejën e keni nisur ju. E nisën studentët në dhjetor kundër padrejtësisë më të madhe që i është bërë ndonjëherë rinisë, shkatërrimit të arsimit të lartë, tarifave më të larta, çmimeve më të larta për arsim me cilësinë më të dobët në Europë. Dhe, pastaj, së bashku me ju u ngrit gjithë Shqipëria. Më 16 shkurt, 11 javë më parë nisi kjo lëvizje dhe kryengritje demokratike për të mposhtur tiraninë më të rrezikshme që vendi dhe Ballkani kanë njohur në 30 vite, tiraninë e politikës të lidhur me krimin, që ka asgjesuar votën, ka asgjesuar qeverisjen, ka kapur dhe paralizuar drejtësinë, ka kapur ekonominë, ka kapur universitetet dhe arsimin e lartë, ka shkatërruar shëndetësinë dhe, mbi të gjitha, i ka vënë kazmën mundësive të rinisë për të ndërtuar jetën e saj këtu në Shqipëri.