‘Jam nga Vunoi, mik i ngushtë i Edi Ramës…’, biznesmeni tregon si e mashtroi djali i konsulles së nderit

E mbani mend Klodian Cirunën, i cili i prezantohej si njeri intelektual dhe i lidhur me familjen e kryeministrit Rama dhe mashtronte njerëz?

Dje ju treguam se ai është djali i konsulles së nderit të Indonezisë në Shqipëri.

Sot, ka folur Petraq Koka, një biznesmen i cili është mashtruar nga Ciruna, e tregon mënyrën se si ra pre e mashtrimit klasik.

Koka në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” tregon kalvarin e tij për marjen e lejës ndërtimore në bashkinë e Tiranës dhe në pamundësi për të filluar punimet e në trysninë e pronarëve të tokës të cilëve po ju shembet shtëpitë, ai ka rënë kontakt me Cirunën.

“…m’u paraqit se kishte lidhje, duke me treguar se biografia e tij kishte afrimitet me familjen kryeministrore të vendit, duke qenë se ishte mik i ngushtë i të birit të Edi Ramës…”-thotë Petraq Koka.

Gjithçka ka qënë për nxjerjen e lejës së ndërtimit në bashkinë e Tiranës, lejë të cilës sot e kësaj dite nuk e ka marrë, megjithëse dosja me të gjithë dokumentat është përpiluar në mënyrë të rregullt.

“Dhe një ditë të bukur, nëpërmjet njohjesh që janë luajale dhe të besueshme, m’u paraqit zoti Ciruna, Klodian Ciruna, me maskën e njeriut intelektual, studiuar në Milano, ishte jurist dhe që, për më tepër, unë jam nga Bregdeti dhe gjyshi i tij, zoti Petro Ciruna, ka qenë burrë i nderuar. Domethënë rrjedh nga një familje me tradita, familje me reputacion. M’u paraqit se kishte lidhje, duke me treguar se biografia e tij kishte lidhje me familjen kryeministrore të vendit, duke qenë se ishte mik i ngushtë i të birit të Edi Ramës.

Nuk është gjë e jashtëzakonshme që ky të jetë miku i tij, sepse ky është nga Vunoi me origjinë, ku edhe kryeministri është nip prej tij. Edhe familjet e tyre, Petro Ciruna ka pasur lidhje me Zaho Kokën, më duket se ka qenë i martuar me motrën e Zaho Kokës, heroit të luftës.Kështu që, është një lidhje e besueshme sepse shpesh këto ditë më vijnë mesazhe, ku më thonë që “…kaq budalla je ti që ke besuar te një sekser…?”.Nuk ishte një sekser dosido. Ai ishte një sekser me shumë lidhje dhe kjo është edhe arsyeja që unë në fakt pranova të jap këtë intervistë, sepse mendoj që Prokuroria nuk e ka hetuar me themel çështjen.

Kjo ka qenë një skemë e mirëorganizuar,sepse kur isha me të, mua më vinin mesazhe nga disa telefona të ndryshëm. Se kush janë ata, unë nuk e di, por Prokuroria duhej që ta kishte hetuar mirë këtë histori. Ai duhej të jepte llogari deri më një. Dhe kam përshtypjen se Prokuroria po e mbulon këtë çështje”, ka treguar ai.