“Jetë qejfi jashtë çdo limiti”- Rrefimi i ish-kryeprokurorit të Enver Hoxhës: Degjenerimi moral i gjeneralëve, ja çfarë bënin


“Për t’u ulur në karrigen e Prokurorit të Përgjithshëm, m’u desh të kaloja nga paradhoma e Hysni Kapos”. Pavarësisht se këtë fakt Rrapi Mino e pohon si diçka të rastit, ato që rrëfen nga koha kur shërbente për numrin dy të Partisë dhe njeriun më të besuar të Enverit, tregojnë se bekimi i tij ka qenë përcaktues për funksionin e besuar në atë periudhë dramatike. Në fakt, thotë ish-kreu i Akuzës, zyrtarisht isha emëruar në aparatin e KQ për organet e drejtësisë, por nga fillimi deri në fund punova për Hysni Kapo, në rolin e ndihmësit për të ndjekur verifikimin e ankesave dhe të dhënave komprometuese për zyrtarë të rëndësishëm, ministra, kryetarë të Komiteteve Ekzekutive, anëtar të KQ, prokurorë, gjyqtarë etj. Është kjo një dëshmi interesante që zbulon ekzistencën e një linje sekrete që Mino e quan linjë speciale, e përdorur nga kreu i kupolës për verifikimin e pastërtisë së figurës së funksionarëve të lartë të regjimit.
Roli i Rrapi Minos në këtë procedurë specifike, i ka dhënë mundësinë të arkivojë shumë ndodhi e ngjarje të panjohura, për të cilat asokohe flitej në një rreth shumë të ngushtë njerëzish. Ndër to veçon mënyrën si është proceduar për dosjen e ish-gjeneralëve të Ushtrisë në vitin ‘74, e cila shërbeu si lëndë e parë për Plenumin famëkeq të Partisë që i kryqëzoi si puçistë e tradhtarë.

I pyetur për akuzat e rënda që u konsumuan ndaj tyre, ndihmësi i Hysni Kapos, ish-Sekretarit të Komitetit Qendror që mbulonte organet e diktaturës, shprehet pa mëdyshje se gjeneralët i ka çuar para skuadrës së pushkatimit degjenerimi moral, jo tradhtia, pavarësisht që për këtë të fundit flitej me të madhe. Duke iu kthyer kësaj historie, Rrapi Mino zbulon një fakt që nuk ka rënë në sy, jo vetëm në atë kohë, por edhe sot, mënyrën si është shmangur Prokurori i Përgjithshëm nga procesi penal ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos dhe arsyet e vërteta pse ky funksion iu besua një oficeri të lartë të Ministrisë së Brendshme, i rekrutuar rishtas në rolin e prokurorit…

Zoti Rrapi! Në shumicën e vendimeve gjyqësore ndaj të dënuarve VIP, ju keni operuar me akuzën që ka bërë Enveri në Plenumet e Partisë…

Nuk ishte tamam kështu. Pavarësisht që shtysa e parë, lënda në ngarkim të të akuzuarve vinte nga institucionet politike, ne, sipas platformës së Prokurorisë, zbatonim politikën penale mbi të cilën ngrihej akuza…

A nuk ishte politikë penale ajo që artikulonte Enveri në Byronë Politike apo në Plenumin e KQ, kur shpallte armiq e tradhtarë ish-bashkëpunëtorët e tij?

Aty fillonte denoncimi politik, gjykimi politik i çështjes, por mirëfilltazi, ligjërisht, procesi penal, politika penale ishte atribut i institucionit të Prokurorisë.

Që do të thotë, se ju edhe mund ta vlerësonit të gabuar juridikisht ndonjë gjykim politik të Enverit…

Në fakt, analiza që i bënte Enveri dhe Byroja Politike, çdo rasti, ishte shtresuese, në aspektin e rrezikshmërisë politike e shoqërore. Për të investoheshin një mori institucionesh shtetërore, ku peshën kryesore e zinte Sigurimi i Shtetit dhe Ministria e Brendshme. Prej andej, produkti vinte te ne për t’iu nënshtruar procesit penal. A mund ta peshonte Prokuroria të padrejtë verdiktin e ardhur nga KQ, teorikisht mundej, por mënyra si qepej dosja dhe mali i provave që sillte Ministria e Brendshme nuk të linin shteg për të ofruar alternativë tjetër…

Çfarë mund të ndodhte, bie fjala, sikur Prokuroria ta vlerësonte të paligjshëm arrestimin e Kadri Hazbiut?

Pse kot e kishin sjellë në birucë Kadri Hazbiun?! Në fund të fundit, ata që e kishin sjellë aty, nuk prisnin që ne të shpreheshim për drejtësinë apo padrejtësinë e veprimit të tyre, por për masën e dënimit. Madje, dosja që shoqëronte të arrestuarin, pak a shumë, përshkruante edhe ligjet me nenet përkatëse që penalizonin atë. Ju jeni zgjedhur kryeprokuror në kohën e kryqëzatës së madhe ndaj liderëve politik të regjimit. Nga çfarë pozicioni erdhët në këtë fuksion?

Para se të emërohesha Prokuror i Përgjithshëm, punoja në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Kisha filluar punë aty qysh nga fillimi i vitit 1973…

Çfarë detyre kryenit në aparatin e Komitetit Qendror?

Unë shkoja aty nga organet e drejtësisë dhe ishte gjykuar që të mbuloja çështjet e drejtësisë pranë sekretariatit të KQ. Zyrtarisht u caktova ndihmës i Petro Dodes, që ishte njëri prej sekretarëve, por kryesisht kam punuar pranë Hysni Kapos. Hysni Kapo ishte numri dy i partisë pas Enver Hoxhës. Ai mbulonte organet e diktaturës, siç quheshin atëherë Ministria e Mbrojtjes, ajo e Punëve të Brendshme, Sigurimi i Shtetit, organet e gjyqësorit, Prokurorisë etj.. Kam punuar pranë tij plot tre vjet dhe ruaj konsideratat më të mira, sidomos për korrektësinë dhe partishmërinë e lartë që demonstronte në zgjidhje të problemeve. Ishte njeri objektiv dhe i komunikueshëm. Të dëgjonte me vëmendje për çdo gjë dhe vlerësonte çdo mendim, pavarësisht kush e thoshte. Enveri e kishte krahun e djathtë dhe e vlerësonte jashtë mase…

Cilat ishin çështjet që ndiqnit me porosi të Hysni Kapos?

Në përgjithësi kam ndjekur verifikimet e letrave nga populli.

E ke fjalën për ankesat që i vinin Hysniut nga qytetarët?

Jo vetëm për ato. Hysniu më shumë merrej me letrat, që i vinin Enverit.

Enveri kishte kabinetin e tij, ndërkohë aparati i KQ kishte një drejtori më vete për letrat dhe ankesat nga populli. Pse duhej dhe një strukturë tjetër, si ajo që drejtonit ju për këto çështje?

Është e vërtetë që aparati i KQ ka pasur struktura të organizuara për komunikimin me masat, popullin, me një mori instruktorësh e shefash përkatës, por linja që drejtonte Hysni Kapo në këtë komunikim, nuk kishte në fokus njerëzit e zakonshëm. Hysni Kapos, Enveri i kishte besuar verifikimin e letrave dhe të dhënave që denonconin zyrtarë të rëndësishëm të regjimit, si ministra, kryetarë të Komiteteve Ekzekutive, anëtarë të KQ, prokurorë, gjyqtarë etj.. Për këtë kategori, verifikimi nuk bëhej nga dega e ankesave dhe letrave nga populli, por nga një linjë speciale që e drejtonte Hysni Kapo…

Dhe këtë linjë speciale e drejtonit ju…

E drejtonte Hysni Kapo, për mos të thënë vetë Enveri. Unë isha njëri ndër specialistët e besuar, që bëja verifikimet në terren.

Pra, kryesisht verifikonit ankesat që vinin tek Enveri për ministrat dhe zyrtarët e lartë…

Pak a shumë ky ishte funksioni që kryeja te Hysni Kapo. Përveç verifikimit të letrave me ankesa për drejtues të lartë, zyra ku punoja merrej dhe me verifikimin e të dhënave dhe informatave speciale që mbërrinin tek Enveri në rrugë të ndryshme. Ishte një punë me përgjegjësi të lartë dhe me rëndësi të jashtëzakonshme.

Periudha kur punonit te Hysni Kapo përkon me kohën kur u dënua grupi puçist në Ushtri. Trajtoi zyra juaj në atë kohë probleme, që lidheshin me gjeneralët e dënuar?

Patjetër që trajtuam shumë çështje që kishin të bënin me verifikimin e të dhënave dhe ankesave për gjeneralët e dënuar, kjo sidomos pas plenumit të Komitetit Qendror që dënoi Beqir Ballukun. Reagimet e organeve dhe organizatave të Partisë në solidarizim të vendimeve të Byrosë Politike dhe të fjalës së Enver Hoxhës për zbulimin e puçit në Ushtri, prodhuan një gamë të gjerë problemesh. U hapën gojët dhe njerëzit, komunistët, denoncuan njeri pas tjetrit raste e fakte të ndryshme që komprometonin krerët e Ushtrisë. Zyra jonë në atë periudhë menaxhoi verifikimin e tyre në terren. Unë kam qenë disa ditë me radhë në Korçë dhe kam ndjekur jo vetëm mbledhjet e zhvilluara, por kam marrë me dhjetëra takime për të seleksionuar problematikat pa fund që denonconin njerëzit në adresë të gjeneralëve…

Pastaj këto ia dërgonit Hysni Kapos…

Te Hysni Kapo nuk dërgonim një material bruto, por një përmbledhje të kujdesshme me gjërat më të rëndësishme. Ai pasi i studionte, na thërriste në zyrë dhe konsultohej gjatë me ne. Konsultat vazhdonin për orë të tëra. Në fund, përpunonim një material tjetër, të cilin Hysniu ia dërgonte Enverit.

Konstatuat fakte gjatë kësaj veprimtarie që i komprometonte gjeneralët për tradhti, siç i akuzoi Enveri?

Të them të drejtën dhe të jem i sinqertë, kjo akuza e tradhtisë afishohej aty-këtu në përgjithësi si term, por pa fakte konkrete. Më shumë për gjeneralët kishte akuza për abuzime dhe degjenerim moral. Të paktën unë në Korçë gjëra të tilla dëgjova. Edhe nga takimet që pata aty, mësova për jetën aventureske që bënin gjeneralët, sidomos me ahengje dhe shpenzime të jashtëzakonshme në darka e dreka. Çdo darkë apo drekë e tyre ne terren shoqërohej me qengja të therur e me pije të shumta. Jetë qejfi, jashtë çdo limiti. Ky lloj degjenerimi dhe jo tradhtia, sipas meje, i mori në qafë. Në rrugë e sipër, procesi i penalizoi edhe për gjëra të tjera, për të cilat edhe u dënuan…. / Burimi: Gazeta Panorama