Jetë të re në Karaibe?!/ Zbulohet sekreti i shkëputjes së gjatë nga muzikia i këngëtares që tundi skenat e festivaleve


Ajo ka nisur një jetë krejt tjetër në Karaibe nga ku përpos muzikës ka eksploruar vetën edhe në aktrim. Mariza Ikonomi është ndër të paktat këngëtare, që ka arritur të fitojë vëmendjen e publikut jo me skandale dhe foto provokuese, por me talentin e saj në muzikë. Kishte kohë që këngëtaren nuk e shihnim në skenë apo në koncerte dhe për të mësuar më shumë rreth kësaj shkëputjeje nga muzika, Mariza ishte e ftuar pak javë më parë në emisionin e mëngjesit “Wake up”.


“Udhëtova në të gjithë Europën Veriore, ku edhe këndova. Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe po mendoj ta ribëj. Unë e ndjeja që duhej të shkëputesha dhe madje ndiej që ende duhet të shkëputem edhe më gjatë”, ka thënë këngëtarja. Por përveçse në muzikë, siç ka zbuluar gjatë udhëtimeve në Europë, ajo ka pasur mundësi të provojë edhe një eksperiencë mjaft të veçantë në teatër. Dhe duket se përveç të këndojë në hotele, aktrimi është puna e re e saj, nëse shohim fotot e fundit që ka postuar nga Spanja, ku pozon me veshjen e Kleopatrës, mesa duket, një nga rolet e saj.


Por duket se ndaljet në këto vende kanë qenë të përkohshme, pasi për “Panorama Plus”, Mariza tregoi se aktualisht po jeton në Karaibe, ku dhe po vazhdon karrierën e saj të re jashtë Shqipërisë. Nuk është hera e parë që Mariza provon karrierë jashtë vendit, duke pasur parasysh faktin që para disa vitesh ajo qëndroi ca kohë në Francë.


Ndërsa vitin e kaluar e pamë të eksploronte një tjetër botë, atë të televizionit. Ajo kishte emisionin e saj, ku zhvillonte intervista me artistë të njohur. “Në fakt, pasioni im ka qenë dhe mbetet muzika, por unë në ambientet e televizionit shqiptar kam hyrë në një moshë fare të vogël dhe pikërisht në këtë institucion kam pasur eksperiencat e mia të para, jo vetëm si muzikante, por edhe si prezantuese. Dhe pa dashur e pa kuptuar më kanë hyrë që të dyja profesionet në zemër”, është shprehur ajo në një intervistë për “Panorama Plus”.


Në lidhje me paratë që fiton nga muzika, ajo u shpreh: “Mund të them që ndihem shumë e pasur shpirtërisht, që s’ka pagesë që e zëvendëson. Ju e dini që të bësh para në Shqipëri, duhet ose të këndosh popullore, ose tallava, ose të bësh dasma. Unë nuk jam e atij target grupi edhe pse di ta këndoj shumë mirë edhe muzikën popullore, por përsëri mund të them që fitoj mjaftueshem, sepse kam një publik që e kam gjithmonë me vete dhe që më vlerëson”.


E sa për ndërhyrjet estetike dhe arsyen pse ka vendosur të mos bëjë ndryshime në fizikun e saj, ajo argumenton: “Nuk më pëlqejnë ndërhyrjet plastike. Jam kundra tyre dhe gjithmonë më kanë pëlqyer gjërat joperfekte. Ato më janë dukur edhe më të bukura. Ndihem shumë mirë kështu si jam dhe jam krenare që i ngjaj mamasë sime, me buzët e holla si ajo, me hundën pak me gungë dhe me sytë e vogla siç i ka ajo. Kënaqem kur më thonë që jam kopja e saj dhe s’e kam pasur asnjëherë si qëllim që të dukem yll në sytë e të tjerëve. Rëndësi ka të ndihem unë mirë me veten time dhe njerëzit të më vlerësojnë për vlerat që kam, e jo për bukurinë”.

Lexo edhe: