Kampionati drejt fundit, klubi Vllaznia ka një mesazh për tifozët

Sezoni në kampionatin kombëtar të basketbollit për meshkuj po shkon drejt fundit. Në këto ditë po luhen ndeshjet e fazës play-off dhe play-out. Në këtë të fundit është edhe Vllaznia e cila dje fitoi ndeshjen e parë ndaj Invaders. Ndeshja e kthimit do të luhet të mërkurën në kryeqytet.

Por, fitorja pa vështirësi në ndeshjen e parë të krijon përshtypjen se kuqeblutë e koshit do ia dalin me lehtësi edhe në ndeshjen e kthimit. Por, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në facebook, klubi i basketbollit Vllaznia ka një mesazh falenderimi për tifozët shkodranë.

“Duhet edhe një ndeshje e kthimit, për fazën play-out, për të mbyllur këtë sezon të vështirë në Superiore. Por, fitorja në ndeshjen e parë na e bën më të lehtë qëndrimin në këtë kategori.
Si ndeshje e fundit në shtëpinë tonë kemi një falenderim special për të gjithë tifozët e mrekullueshëm shkodranë, që mbështetën ekipin tonë dhe të tyre të zemrës gjatë këtij sezoni të vështirë. Urojmë që të jetë i fundit në të tilla kushte, prandaj vitin tjetër, me objektiva të reja, e duam plot pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Bashkë me ju, për një Vllazni për të arritur majat!” – shkruhet në faqen e klubit Vllaznia. /ShkodraNews