Kampioni 10 vjeçar që i sjell Shkodrës dhe Shqipërisë vetëm tituj. “Shpresat për rikthimin e lavdisë së notit”

Një tjetër sukses për trojet shqiptare duke lartësuar flamurin kuq e zi, vjen nën emrin e madh të Shkodrës dhe talentit të notarit Ajdin Loshi.

Ai u shpall kampion absolut në garën 50 metra stil i lirë për kategorinë nën 10 vjeç meshkuj në aktivitetin ndërkombëtar INTERNATIONAL SWIMMING MEETING “TEUTA CUP” 2019.

Kampioni i moshave të vogla ka treguar grintë, shpirt gare dhe një përgatitje fizike që ka marrë vlerësime maksimale nga organizatorët duke e cilësuar si një talent premtues për të ardhmen e notit shqiptar.

I stërvitur nga një emër i spikatur i sportit shkodran si Kolë Shiroka dhe nën përgatitjen atletike të Alban Nogës, 10 vjeçari ka përfaqësuar ekipin e Vllaznisë në të gjitha garat dhe kompeticionet kombëtare e ndërkombëtare duke sjellë disa trofe radhazi në qytetin e tij.

Ky i radhes shton galerinë e medaljeve që ky sportist i ri në moshë i sjell Shkodrës dhe sportit të notit që më shumë se kurrë ka nevojë për përkrahje, pasi nevojitet që noti të marrë eliten e sporteve siç e ka patur në të shkuaren.

E për ta bërë këtë duhet mbështetja e fortë e pushtetit vendor që për fat të keq ka munguar si në aspektin financiar dhe infrastrukturor.

Megjithëse çmimet dhe medaljet po i vinë pa fund duke lartësuar emrin e Shkodrës, kjo arritje nuk po përkthehet me të njëjten formë sa i përket mbështetjes.