Kandidati i PD në Durrës ‘i bie pishmanit’, do mandatin e deputetit

Krenar Rryci, i renditur i 18-ti në listën e PD-së në qarkun e Durrësit, ishte mes 103 kandidatëve të djathtë që refuzuan të marrin mandatin, por në një intervistë televizive ai thotë se është penduar dhe do të zërë vendin e tij në ulëset e Kuvendit.

“E kam firmosur, por kam ndryshuar mendje. Do jem kandidat dhe do marr mandatin që të përfaqësoj Parlamentin shqiptar”.

Rryci përjashton mundësinë se ky ndryshim qëndrimi lidhet me ndonjë ofertë apo presion.

“Absolutisht jo. Është vullneti im që e kam pranuar mandatin dhe e pranoj të jem pjesë e këtij parlamenti dhe mendoj se ky parlament do na shkojë mbarë.Ne jemi të opozitës. Çdo votë e jona që do jetë për të mirën e popullit shqiptar për të mirën dhe vazhdimesinë sepse ne jemi me projektet e BE-së. Do anëtarësohemi në BE, unë jam i gatshëm dhe do e jap gjithmonë votën time”.

Krenar Rryci, i cili është edhe kryetar i Partisë Reforma Demokratike, së bashku me 6 kandidatë të tjerë të cilët kanë shprehur vullnetin për ta pranuar mandatin, pritet të ulen shumë shpejt në Kuvend krah 4 deputetëve të rinj të dalë nga lista shumëemërore e LSI-së