Kaos me planin e Ramës për të paguar njerëzit që humbën punën nga Covid 19

Ndërsa në të gjithë botën, në këtë katastrofë globale që ka pllakosur planetin, diskutohet për masat ekonomike e sociale që kanë ndërmarrë qeveritë për të zbutur krizën të cilën po e shkakton pandemia, në Shqipëri, në mënyrë cinike flitet për pompat e Monikës, rakinë e Ilirit, çfarë gatuan Grida në karantinë dhe se si rri Saljani në shtëpi me pantallona të shkurtëra apo me tuta.

Qeveria që prej javës së shkuar ka shpallur atë që e ka quajtur një plan për të zbutur varfërinë, por askush nuk e diskuton atë për të krijuar një sensibilizim që paratë e nxjerra nga buxheti ynë t’i shkojë secilit në dorë, në radhë të parë atyre që kanë nevojë.

Konkretizimi i këtij plani, ashtu siç ndodhi edhe me qiratë për tërmetin apo edhe nisma të tjera qeveritare po rezultojnë një çorganizim i organizuar.

Një kaos ka shpërthyer në zyrat e njësive bashkiake të qytetit, sa ka një rrezik të frikshëm për tu infektuar nga koronavirusi.

Kaos që e shtyu edhe doktor Tritan Kalon të lëshonte dje alarmin për grumbullimin e madh në zyrat e minibashkive ku njerëzvit bëhen kapicë si sardelet në kuti.

Në njësinë numër 3 dhe 4 që ndodhen pranë QSUT-së, një grumbull i frikshëm po shtyheshin për të përfituar ndihma.

Një djalë 40 vjeç, i cili jeton me të ëmën dhe është i papunë, tregon se gjithçka ka ardhur nga deklarata e kryeministrit sipas të cilit do të paguheshin si ata që kanë humbur rrogën nga kompanitë që kanë pezulluar punën, por edhe të papunët.

Ai thotë se është i papunë prej kohësh por zyrtarja e zyrës së punës i ka bërë të ditur se do të duhet që të derdhë të paktën 5 muaj kontribute në ISSH.

“Po ku kam para të derdh në ISSH, unë nuk kam për tu ushqyer”, thotë djali, i cili kishte mësuar se në njësitë bashkiake do të ndahen ndihma.

Në fakt, vendimi i qeverisë për të paguar ata që janë të regjistruar por edhe ata në të zezë është një triller i vërtetë, ku askush nuk e di si do të ndahen këto para.

Ndërkaq, një javë më parë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genc Sejko, tha se Këshilli mbikqyrës i BSH-së ka marrë vendim që të shtyhen kreditë për tre muaj, por këtë vendim nuk e mori banka qendrore por duke e lënë në të drejtën e bankave të nivelit të dytë që të vendosin nëse klienti që kërkon shtyrje ka të drejtë ta përfitojë apo jo.

Një vendim që në radhë të parë është cinik dhe tallje me qytetarët, pasi t’ja lësh në dorë bankave të nivelit të dytë, apo një oficeri krediti që është i stresuar si pasojë e presionit për të përfituar sa më shumë komisione nga klientët, është thjesht kanibalizëm.

Qeveria italiane mori vendim të formës së prerë për shtyrjen e kredive, duke e bërë fakt.

Dhe natyrisht është një akt shumë normal pasi nuk kemi të bëjmë me falje të tre kësteve,(edhe nëse do të ndodhte nuk është fundi i botës), por thjesht një shtyrje në kohë.

Klientit që përfiton shtyrjen i zgjatet koha e mbylljes së kredisë duke e rritur me 3 muaj, një gjë krejt normale.

Ndërkaq, Shqipëria është një vend ku normat e interesit janë në nivele më të larta dhe kreditë konsumatore apo ata për banesë, ngjajnë më shumë fajde sesa financim me interes normal.

Dhe ç’është më e keqja, bankat në 10 vitet e para të kredisë marrin direkt nga klienti fitimet e tyre dhe pasi ta ketë përfunduar këtë, nis plotësimi i portofolit të kredisë.

Në një nga bankat e nivelit të dytë në zonën e Rrugës së Elbasanit, vijon të ketë radhë të madhe për tu regjistruar si kërkues për shtyrje kredie.

Një 57 vjeçar që banon në Sauk tregon se ka marrë një kredi për banesë dhe ka 20 vite që drejton një biznes familjar bar kafe, që e ka gjithashtu ambjentin me qira.

Ai thotë që ka ardhur të kërkojë shtyrje të kredisë së banesës sa të marrë frymë, pasi me lokalin mbyllur nuk mund të paguajë as taksa, as qira e as kredi, shto energjinë dhe ujin apo edhe internetin.

“Ai djali më kërkon dokumente që kryeministri ka deklaruar se zyrtarët mund t’i nxjerrin online. Këta tallen me ne, por si unë janë shumë, thjesht po mbushim dokumente për të bindur bankën se jemi dëmtuar nga mbyllja e biznesit, e në fund vendimi do të merret për disa.

Ka gjasa të futet mik apo të paguhet nën dorë siç ndodh gjithmonë”, thotë 57 vjeçari, i cili lutet të mos e tregojë emrin, pasi i druhet ndonjë hakmarrje të administratës.

Situata është vërtetë e rëndë, pasi pjesa më e madhe e popullsisë punon për të paguar faturat, pra për të mbijetuar: qira-kredi, drita ujë, internet etj.

Mungesa e pagesës, si pasojë e mbylljes së pjesës më të madhe të ekonomisë ka shkaktuar një ndalesë së menjëhershme të pagesave.

Ndërkohë që akti normativ i qeverisë është një kleçkë me bisht që askush s’po e merr vesh.

Në SHBA, qeveria ju dha secilit nga 3 mijë dollarë, ca në dorë ca bonus, në Britaninë e Madhe 80% e pagës.

Në Maqedoni, qeveria kujdestare ka vendosur menjëherë që të shtyhen kreditë dhe pagesat, duke lehtësuar qytetarët. E njëjta gjë edhe në Mal të Zi, ku qeveria mbylli të gjitha institucionet apo fabrikat e mëdha, e normalisht e mbyllur është edhe industria e turizmit që i jep frymë këtij vendi. E megjithatë qeveria malaziase , ka nisur që tani shpërndarjen e parave që askush të mos ketë problem për të kaluar muajin./Pamfleti