Kap rekordet paraja cash, ja çfarë ndodhi me 2.3 miliardë euro në Shqipëri

Teksa qeveria dhe Banka e Shqipërisë po marrin masa për të reduktuar përdorimin e cash-t në ekonomi, paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar arriti në gusht në një nivel rekord prej 288 miliardë lekësh, ose 2.3 miliardë eurosh, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë në vlerë absolite, që prej vitit 2002, kur raportohen të dhënat. Kjo shumë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë është e barabartë me 22.2% të parasë gjithsej, më e larta që nga fundi i vitit 2009, kohë kur kishte një valë tërheqje depozitash për shkak të panikut që u krijua nga kriza globale financiare.

Pasi ra në periudhën 2010-2014, paraja jashtë bankave filloi të rritej sërish në 2015-n, sidomos nga gjysma e dytë e 2016-s, duke vijuar këtë tendencë edhe aktualisht, në një tregues të informalitetit të lartë, por dhe hyrjes së parave nga kanale jo zyrtare. Banka e Shqipërisë arrin të masë vetëm monedhën vendase në qarkullim jashtë bankave dhe jo valutën, gjithsesi kjo valutë është konvertuar dhe në lekë, duke ndikuar në zhvlerësimin e euros (të dhënat e tjera të bilancit të pagesave të bankës së Shqipërisë treguan se të paktën në 6 mujorin e parë të këtij viti nuk kishte përmirësim të deficitit të llogarisë korente, ose kanaleve zyrtare të hyrjes së valutës në vend.