Kapiteni Lika flet për ecurinë e Vllaznisë, ka një “merak” për tifozët shkodranë

Vllaznia tashmë është në Superiore edhe pse duhen edhe 4 javë për tu mbyllur kampionati i Kategorisë së Parë. Për të folur për ecurinë e skuadres shkodrane, në emisionin “E hëna sportive” ishte i ftuar kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika.

Fillimisht ai foli për punën e trajnerit Hasan Lika, ku tha: “Profesor Lika ka bërë një punë të mirë dhe dua ta përgëzoj. Ka punuar shumë nga ana psikologjike dhe kemi pasur një marrëdhënie të mirë me të. Kur morëm vesht se donte të largohej, jemi ndjerë keq.”

Më pas, Lika prek edhe tema të tjera, si ajo e presionit për rikthimin në Superiore apo edhe fusha ku skuadra ka luajtur. “Për një skuadër kur ambjenti sportiv e shikon favorite krijon presion. Gabimet nuk na lejoheshin. Terrenet sportive në disa ndeshje na kanë penalizuar. Deri tani stadiumi ka qenë në administrim të FSHF. Në 2 muaj jemi detyruar të luajmë në “Reshit Rusi”, në një fushë ku më mirë të luash në asfalt. Tashmë, drejtuesit kanë thënë që në momentin që të sigurojmë Superiore do fillojmë të krijojmë ekipin për të ndërtuar Superioren. Drejtori Firat dhe administratori Lici po bëjnë lëvizjet e duhura dhe maksimumin që ekipi të mos çalojë vitin tjetër. Shumica e lojtarëve kanë kontratë edhe për sezonin tjetër. Klubi ka kërkuar përforcime, por nuk mund të them se kush do rrijë apo do largohet.”

Por, kapiteni Lika ka edhe një merak për tifozerinë e Vllaznisë. “Raporti me tifozët nuk është i mirë dhe duhet rregulluar. Kjo është një ndër detyrat tona kryesore dhe klubit që duhet krijuar një marrëdhënie me tifozët. Të rregullohet situata me to, ku grupimi “Vllaznit Ultras” ka disa kërkesa dhe klubi duhet t’ua plotësojë. Ato na kanë ndjekur jo vetëm në Shkodër, por edhe jashtë qytetit.” /ShkodraNews