Kapriçot e politikanëve të majmur lënë pa rroga qindra punonjës të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe

Socialistët lënë pa paga punonjësit e bashkisë Shkodër, e për pasojë e pëson edhe Malësia e Madhe. Duke tentuar të shfrytëzojnë shkuarjen në Australi të prefektit Çesk Millja, ata nuk bënë në bashkëpunim me Voltana Ademin kalimin e draftit të paketes fiskale dhe buxhetit 2020 në prefekturë, një ditë pasi e miratuan në këshill.

Ata madje nuk shfrytëzuan as ditën e parë të punës për 2020, që ishte 6 Janari, por pritën deri me 9 Janar për ta dorëzuar në institucionin e prefektit që të merrej më pas në shqyrtim nga ky i fundit, e të vendosej kalimi ose jo. Afatet që i njeh ligji institucionit të prefektit për ta shqyrtuar janë 10 ditë dhe në këtë pikë deri më 19 Janar, administrata e Milljes është në kohë të shprehet. Por kalkulimi i socialistëve dhe Ademit duket se nuk është bërë sa dhe si duhet, pasi mbi 1200 punonjës të bashkisë dhe institucioneve të varësisë nuk kanë marrë pagat e dhjetorit.

Të njëjtin fat kanë edhe punonësit e Malësisë së Madhe, e po në të njëjtat ujra deri përpara 2 ditësh ishin edhe Puka e Fushë Arrëzi, por buxheti i tyre ka kaluar nga prefektura dhe thesari ka çelur fondin. Tashmë në pritje janë afro 3 mijë punonjës të dy prej bashkive më të mëdha, Shkodres dhe Malësisë së Madhe që kapriçot e punës së zyrtarëve i lënë pa marrë paratë që u takojnë.

Situata është bërë e rëndë për një pjesë të madhe të tyre që këtë pagë kanë burim kryesor të ardhurash dhe askush nuk pyet për qiratë e baneses, kreditë, pagesat e energjisë e ujit, ushqimin etj, që këto familje duhet ti mbulojnë përmes ketyre shumave që marrin. Kupola drejtuese natyrshëm nuk e ndjen këtë barrë pasi rrogat e majme dhe shpërblimet e tjera ja kanë krijuar luksin të mos presin fundin e muajit, por për punonjësit e thjeshtë një vonese qoftë edhe 1 apo dy ditë është tejet e rëndë. Përballë mungeses së prefektit Millja, megjithëse ai kompetencat dhe të drejtën e firmës e ka deleguar, bën që edhe vetë administrata e prefekturës të punojë me ritme më të avashta, ndërsa me gjasa deri në 6 ditët e fundit të këtij muaji, këto punonjës të mos marrin leket që u takojnë, ku me shumë mundësi do të përfundojnë të marrin 2 paga në një ditë, përfshirë edhe Janarin./ShkodraNews