Katundari Tao dhe këmisha e thjeshtë e John Grogan

Katundari Tao, prej disa vitesh tashmë është deleguar nga Edi Rama që të kryejë edhe punën e diplomacisë parlamentare dhe të mbajë marrëdhëniet me parti politike e grupime parlamentare në Europë.

Ai, ka zëvendësuar Gramoz Ruҫin në PS duke u bërë i gjithëpushtetshëm, por ka treguar që jo vetëm që nuk di ta mbajë këtë barrë të madhe mbi supe, por me anë të gafave të tij i ka shkaktuar dhimbje koke Edi Ramës herë pas herë, edhe pse ky i fundit e mban se e ka vegël totalisht të komandueshme.

Katundari i Librazhdit, i cili ka studiuar në Bukuresht për Drejtësi, nuk arriti të përfitojë asgjë nga qytetërimi i “Parisit ballkanik” dhe as nga aktiviteti i tij i vazhdueshëm duke bredhur botën.

Siҫ e kanë portretizuar ish-shokët e Bukureshtit, ai vijon të mbetet një “katundar i palatuar” si në mënyrat e të sjellurit por edhe në përmbajtje të aktivitetit të tij.

Shpesh kanë mbërritur në tryezën e Ramës raporte diplomatike të ambasadave tona në vende të ndryshme të Europës, ku ankoheshin për gafat që katundari Tao bënte pa hesap në misionet e tij.

Kryeministri që gajasej e argëtohej me këto episode, i tregonte më vonë rastet si barsaleta në mbledhjet e PS-së dhe i kërkonte diplomatëve që ta përshkruanin numrin dy të PS-së si “një produkt i vibrimit të Shqipërisë që po europianizohet”.

Këto raporte kishin si shkas edhe marrëdhënien e rëndë mes Ditmir Bushatit, në atë kohë ministër i Jashtëm dhe Taos. Bushati në fakt nuk se shtonte ndonjë gjë, pasi gafat i bënte vetë ”katundari i Librazhdit”, por përforcimi dhe përhapja e gallatave në sallonet ku rilindasit në pushtet hargalisen, u kthyen në një “sport masiv”.

Një nga këto raporte flet edhe për vizitën e kohëve më parë të Taos nga Librazhdi në Parlamentin britanik, ku u takua me grupin e miqësisë Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar.

Ky grup kryesohej atëherë nga John Grogan, parlamentar laburist dhe dashamirës shumë i madh i shqiptarëve.

Zoti Grogan është një politikan me përvojë me origjinë nga Anglia Qendrore dhe njihet për mënyrën modeste të jetesës për të pasqyruar edhe përfaqësimin e tij politik kryesisht të punëtorëve dhe shtresave të dobëta të shoqërisë.

Në fakt në gjithë Perëndimin, politikanët bëjnë një stil jetese të kujdesshëm për të ruajtur edhe një etike përballë zgjedhësve.

E si i tillë deputeti Grogan, vishet thjeshtë dhe duket hapur që këto veshje janë ato që qytetarët britanikë përdorin dhe i blejnë në supermarkete.

Katundari Tao, i cili në takim kishte shkuar me një xhup të shtrenjtë “Armani” ishte tallur pas takimit për faktin që Grogan mbante të veshur një këmishë të lirë.

Fraza e Ballës ishte thënë në shqip në koridore, por që ishte dëgjuar nga pjesëmarrës në takim e që ishin pjesëtar të parlamentit britanik.

Siҫ ndodh në një vend serioz si Britania e Madhe, asnjë frazë që thuhet në ambjente politike nuk i shpëton “veshëve të duhur institucional”, pasi ata duhet ta dijnë me kë kanë të bëjnë.

Dhe pikërisht tallja e Ballës për “deputetin barkthatë” ishte marrë si mesazh fyes dhe për të ka mbërritur edhe një ankesë në koridoret diplomatike shqiptare.

Natyrisht që vende si Britania e Madhe, të cilat kanë një përvojë shekullore në marrëdhëniet me vende të prapambetura si Shqipëria, e kuptojnë shumë mirë mentalitetin provincial të politikanëve si ky, por në këtë rast humbet Shqipëria kur le nam një njeri që nuk përfaqëson pjesën e kulturuar dhe të shkolluar të shqiptarëve, por shtresën më të ulët të injorantëve që kur bëjnë ca para, rrinë e shesin mend.

Këto raporte për Taon, të kthyer në barsaleta, që qarkullojnë prej kohësh, janë kthyer në material humori për “cinikët” që se durojnë dot pushtetin e tij në PS.

Por budallallëqet me okë të këtij provinciali me pushtet janë më shumë për të qarë sesa për të qeshur, ngaqë i bëjnë keq vendit.

Pamfleti ka arritur të marrë mjaft nga këto raporte që janë shkruar nga një dorë “diabolike” mjeshtërisht me satirë e ironi që kanë gajasur Ramën, megjithatë kemi vendosur të mos i trajtojmë si barsaleta, por si material për të vënë kujën se në ҫderexhe shteti shqiptar e ka ҫuar përfaqësimin e tij politik…/Pamfleti