KÇK-ja dhe pusht-etarët



Nga Edmond Tupja



Qenka vërtet për t’u habitur: Me siguri që shkurtesa KÇK vazhdon ende të jetë në gojën dhe mendjen e shumë shqiptarëve, pa folur për dendurinë e përdorimit të saj në ekranet e mëdha e të vogla, në stacionet e radiove dhe në faqet e gazetave! Gjithsesi, zbërthimi apo zbardhja e saj në “Kap Ç’të Kapësh!”, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin është shqiptuar, nuk të jep më atë kënaqësi që i falin tri shkronjat në fjalë mikut tim Françesk Armadhit dhe kolegut të tij Namik Arvoglit sa herë që ata i hasin ato qoftë të shkruara me bojë, qoftë të thëna me gojë.



Kështu, përmbipardje, teksa që të tre pinim çaj mali në periferi të kryeqytetit, biseda jonë po rridhte natyrshëm rreth aktualitetit politik me në qendër pikërisht KÇK-në, kur, në një moment, i tejngopur nga kjo temë e ditës, shpreha neverinë time duke nxjerrë nga goja një “KÇK? Ua!!!”, tamam titullin e sotëm të rubrikës sime të përjavshme.

Më pas, duke qenë të një mendjeje lidhur me antitezën e KÇK-së, pra, me të ashtuquajturën Anti-KÇK, miqtë e mi nisën të bënin disa lojëra fjalësh me shprehjen time “KÇK? Ua!!!” ngaqë, sipas atyre, shpesh lojërat e fjalëve, siç na mëson Frojdi, shprehin një të vërtetë thellësisht të hidhur ose hidhësisht të thellë, pak rëndësi ka. Kështu, pasthirrmën time “Ua!”, ata gjetën një mënyrë disi djallëzore për ta ndarë më dysh, “u” dhe “a”, para se ta kombinonin me shkurtesën KÇK, çka solli si pasojë daljen në pah të një fjale befasuese: “KUÇKA”.

Duke gërmuar më tej, ata nënvizuan se fjala “kuçkë” ka për sinonim fjalën “kurvë” dhe se politika aktuale në Shqipëri e meriton plotësisht fjalën e urtë të popullit tonë të tulatur, shumë të tulatur, madje gati-gati të trullosur, sipas së cilit “politika është kurvë”, sidomos, kryesisht e veçanërisht kur ajo, politika, pra, shtiret si antikurvë. Të njëjtën gjë pohuan ata edhe për sinonimet “kuçkë” e “zuskë” të fjalës “kurvë”. Befas, pasi i hodhën njëri-tjetrit një vështrim mistrecësh, ata parashtruan thuajse njëzëri një tezë fort tronditëse, për të mos thënë shokuese:

Meqenëse politika qenka kurvë, siç e ka dëshmuar e stërdëshmuar katërçipërisht jo vetëm politika në nivel botëror, por edhe politika jonë e brendshme dhe e jashtme këto pesëqind e tridhjetë vjetët e fundit, atëherë logjikisht i bie që politikanët tanë dhe në veçanti e pashmangësisht pushtetarët tanë, që nuk reshtin së renduri furishëm prapa kurvës politikë, të jenë… të jenë thjesht e mirëfilli…mirëfilli kurvarë, me përjashtim të rasteve kur ata, pra politikanët dhe sidomos pushtetarët tanë, që rendin po aq furishëm prapa politikës herë edhe “kuçkë”, herë edhe “zuskë”, nuk mund të quhen vetëm kurvarë, por gjithashtu thjesht e mirëfilli kuçkarë e zuzarë. Sidoqoftë, për të mos u ngrënë hakun politikanëve dhe pushtetarëve tanë, duhet pranuar ndershmërisht se ata nuk pushojnë së paraqituri si antikurvarë, antikuçkarë e antizuzarë të palëkundur.

Pasi porositëm të tre edhe nga një çaj tjetër, Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, duke këmbyer të njëjtin vështrim mistrecësh si pak më parë, iu futën një analize gjuhësore tejet origjinale dhe po aq befasuese të fjalëve “kurvar”, “kuçkar” e “zuzar” në marrëdhënien e tyre me fjalën “pushtetar”. Së pari, secilën prej këtyre fjalëve ata e ndanë, sipas mënyrës së tyre, në dy pjesë, çka dha “kur-var”, “kuç-kar” dhe “zu-zar”, për tri të parat dhe, për të katërtën, “pusht-etar”.

Fillimisht, nuk po arrija të kuptoja se ku donin të dilnin, por më tej, kur vura re se vështrimi i tyre po bëhej gati djallëzor, pata një si ndriçim pikërisht në atë pjesë të trurit ku, vite më parë, u ngjiz e u formua embrioni i fjalorit tim erotik të gjuhë shqipe (Botimet EDFA, Tiranë, 2010), i pari i këtij lloji në Shqipërinë e të gjitha kohëve: Eureka!, mend thirra dhe gjithçka u bë e qartë: Vetëm fjala “kuçkar” u shkonte për mrekulli sidomos, kryesisht e në veçanti pushtetarëve tanë.

“Pse dhe si kështu? – mund të pyesni ju, lexuese biramele dhe lexues të intriguar të këtyre rreshtave – Fjalët “kurvar”, “kuçkar” e “zuzar” janë sinonime të njëra-tjetrës, pra, kanë të njëjtin kuptim!”. Ja përgjigjja ime: “Po, të nderuara zonja e zotërinj po aq të nderuar, ashtu është, siç thoni ju, por vetëm fjala ‘kuçkar’ falë tri shkronjave të saj të fundit i përshtatet në mënyrë të përkryer rrënjës së fjalës ‘pushtetar’, pra katër tingujve të saj të parë, d.m.th. P-U-SH-T! A e shikoni sesi, duke u nisur thjesht nga shkurtesa KÇK, çfarë shërbimi të admirueshëm u bënë pushtetarëve tanë dy miqtë e mi Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli?