Kërkohet një Hamlet

Stefan Çapaliku

Shoqëria shqiptare është në kërkim të një Hamleti, të një njeriu të rebeluar, të një njeriu që e ka mësuar deri në fund të vertetën nëpërmjet sakrificave personale dhe familjare.

Kërkohet një Hamlet, i ri, i sapokthyer nga studimet, një “student në shpi” i Migjenit, një njeri i gatshëm të sakrifikojë dashurinë e tij të madhe dhe të vetme. Një njeri i gatshëm për të përballuar sharje dhe rrahje. Një i çmendur” që shkel mbi fytyrat e neveritshme të atyre që bënë antihistorinë e këtyre tridhjetë viteve.

Kërkohet një Hamlet që i jep të drejtë pakicës. Kërkohet një Hamlet që ta dijë mirë se ajo që po ndodh sot me Teatrin tonë Kombëtar në të vërtetë asgjë s’ka asnjë lidhje me teatrin. Kërkohet një Hamlet që kupton se e verteta ka lidhje me “Publiken” dhe statusin e saj në Shqipërinë e sotme; se Publikja nuk është më e shenjtë në këtë vend; se Publikja po kthehet në private; se Atdheu po shitet pjesë-pjesë; se atyre që po u djeg zemra për teatrin e ri, le ta ndërtojnë diku tjetër…

Në Shqipërinë e sotme jemi të mbushur me aktorë që do ishin të gatshëm të luanin Hamletin, por jo me Hamletin vetë. Kaq shumë është fotokopjuar silueta e Hamletit saqë ka humbur tiparet. Një djalosh i ri që pasi mëson padrejtësitë, thur një plan për ta ndrequr botën…

Në dramën e tij të famshme “Hamletmakina” Heiner Muller thotë: Unë nuk jam Hamleti. S’luaj më role. Fjalët e mia nuk thonë më asgjë…. Drama ime është anulluar. Pas meje po heqin skenën disa njerëz që s’u intereson fare drama ime, njerëz që s’kanë lidhje me të…

Dekori i skenës është një monument. Ai paraqet në qindfishin e përmasave jetësore një njeri që ka bërë histori. Ngurtësimi i një shprese… Shpresa nuk është realizuar. Monumenti dergjet përtokë…

Pas rrëzimit të monumentit, vijoi Rebelimi. Drama ime, nëse akoma mund të luhej, duhet të ndodhte në Kohën e Rebelimit.

Rebelimi fillon si një xhiro rrugëve të qytetit. Kundër rregullave të trafikut, gjatë orarit zyrtar. Rruga i përket kalimtarëve. Aty-këtu ata përmbysin ndonjë veturë. Kur kolona e njerëzve i afrohet lagjes qeveritare, ajo bllokohet nga një kordon policësh. Formohen grupe prej të cilëve dalin folës.

Njerëzit fillojnë të çarmatosin policët, sulmojnë dy-tri ndërtesa, një burg një stacion policie një zyrë të policisë sekrete, varin për këmbësh nja dhjetë shërbëtorë të regjimit, qeveria dislokon trupa, tanke.

Vendi im, nëse drama ime vërtet do të luhej ndonjëherë, do të ishte në të dy anët e frontit, mes fronteve, sipër tyre. Unë qëndroj mes erës së djersës së masave dhe hedh gurë drejt policëve, ushtarëve, tankeve, xhamit antiplumb. Dridhem, mbytem nga të vjellat, me grushtin kundër vetes, duke qëndruar pas xhamit antiplumb. I tronditur nga frika dhe përbuzja, shoh në turmën që afrohet veten, me gojën mbushur me shkumë duke tundur grushtin kundër vetes sime…

Jam ushtari në kullën e tankut, koka ime është bosh nën helmetë, thirrma e mbytur nën zinxhirë. Jam makina e shkrimit. Unë lidh nyjen kur varen liderët e turmës, shkelmoj stolin, thyej qafën time. Unë jam i burgosuri i vetes… Rolet e mia janë pështymë dhe pështymore, thikë dhe plagë, dhëmbë dhe gurmaz, qafë dhe trekëmbësh… Gjakosur mes turmës….

Drama ime nuk është luajtur. Teksti ka humbur. Aktorët i kanë varur fytyrat e tyre në gozhdët e gardërobës. Sufleri kalbet në kthinën e vet. Kufomat e balsamosura vdekur nga murtaja ngjeshur në sallë nuk lëvizin as gishtin”.

Lexo edhe: