Kësti jo më i madh se 1 milionë/ Qeveria merr vendimin, ndryshon dëmshpërblimin për ish-të përndjekurit, ja afatet e reja…

Qeveria ka ndryshuar mënyrën e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë. Përmes një vendimi të marrë ditën e djeshme, do të ketë ndryshime sa i takon afateve dhe kjo do të bëhet përmes masës së përfitimit. Sipas vendimit, në bazë të buxhetit vjetor të vënë në dispozicion, fondi i dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë nga regjimi komunist do ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kusht që kësti i dëmshpërblimit të mos jetë më i madh se 1 milion lekë. Më tej theksohet se për të gjitha subjektet përfituese parësore, kur vlera totale e dëmshpërblimit është mbi 8 milionë lekë, vijohet me pagesën e këstit pasardhës deri në shpërndarjen e plotë të shumës së miratuar. Por, në rast se vlera totale e miratuar për të gjithë përfituesit është deri në 1 milion lekë, shpërndarja e dëmshpërblimit kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit.

Dorëzimi i dokumenteve

Dokumentet që kërkohen sipas ligjit janë dëshmi trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njësuar noterizuar; autorizim me shkrim i lëshuar nga përfituesi për të përfituar dokumentet e nevojshme elektronike; certifikatë vdekje e ish të dënuarit dhe certifikatë e trungut familjar (certifikata e trungut nuk mund të zëvendësohet me certifikatë familjare) do të aksesohen dhe printohen nga ana e Drejtorisë së Pagesave të Dëmshpërblimeve nëpërmjet portalit të shërbimeve publike elektronike e-albania, brenda kuadrit të shërbimeve që disponon e-albania. Po kështu, kërkohen numrat e llogarisë bankare në Lek (IBAN) për çdo trashëgimtar ose për personin e autorizuar me prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit, në njërën nga bankat e nivelit të dytë që ushtron veprimtarin brenda territorit të Republikës së Shqipërisë; dokument identiteti (kopje ID-je, Pasaporte) të çdo trashëgimtari ose të personit që ka prokurë të posaçme për tërheqjen e dëmshpërblimit. Kur një trashëgimtar i radhës së parë, të ish të dënuarit politikë, nuk jeton, për të tërhequr dëmshpërblimin, trashëgimtarët e radhës së dytë, (fëmijët e tij) duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, të gjithë dokumentet për trashëgimtarin e radhës së parë që nuk jeton. Kur një trashëgimtar i radhës së dytë nuk jeton, e drejta e tyre për dëmshpërblim nuk vazhdon më tej.

Radha e këstit

Një muaj më parë Ministria e Financave dhe Ekonomisë informoi se ka filluar procedurën e pagesës së këstit të njëmbëdhjetë për kategorinë e subjekteve përfituese parësore. Sipas njoftimit, pagesa për kategorinë e subjekteve parësore, kryhet sipas kësaj radhe: Ish të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës; Ish të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; Ish të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm; Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji; Ish të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së pare në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe Ish të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.