Komediani që nuk u bë dot kurrë Kryeministër

Nga Enton Abilekaj

Ditë shiu. Njerëz me çadra dhe pa çadra larmojnë në sheshin e Elbasanit, ku një folës me xhup jeshil, me mikrofon në dorë sundon skenën me mjeshtrinë e një Showman-i.

Qeshin, duartrokasin. Ai e ndërpret fjalën për t’i respektuar ata që po e adhurojnë. Pastaj rifillon me batutë që të shtojë të qeshurat dhe duartrokitjet, por asgjë.

Nuk qëlloi këtë herë, hidhet me vrap tek serioziteti që të justifikojë dështimin.

Kur të qeshurat rifillojnë, në fytyrën e tij rikthehet shprehja e vetëbesimit; pak buzëqeshje ironike, lëvizje e pakontrolluar e syve dhe një ngacmim më dikë nga turma.

Performancë e pakrahasueshme. Një “One Man Show” apo “Stand up Comedy” që, megjithëse sundon me hir dhe me pahir sheshet e qyteteve prej 6 vjetësh, ka ende pjesëmarrje, vëmendje dhe ndjekës.

Nuk është një komedian mediokër që tenton të shkojë në krye të shtetit, është një kryetar qeverie që kërkon të shkojë në krye të Komedisë.

E çuditshme, e rrallë, por e vërtetë. ..

Nuk është çudi që ata njerëz që nuk përfitojnë dot nga 3 ditët e pushimit për t’u larguar në fundjavë, nuk kanë para për të dalë as gjysmë dite nga qyteti, nuk kanë as kinema as teatër as estradë, dynden aty për tu englendisur falas me shfaqjen e njeriut më të ngeshëm të këtij vendi, Edi Ramës.

Ne dhe ata janë personazhet kryesore të spektaklit të humorit në shesh.

Personazhi “ne” është pozitiv, personazhi “ata” është negativ.

Ndonjëherë personazhi pozitiv ndërron emër, “ne” bëhet “unë”, negativët mbeten “ata”.

Ndërsa ai flet dhe përpiqet që me aftësinë e kufizuar për të bërë humor të bindë njerëzit, mendja të shkon vite më parë, atëherë kur ky komedian në tentativë, ishte në ditët më të zeza politike.

Ishte viti 2011, kur botonte librin “Kurban”.

Sapo i kishin marrë me procedurë fitoren e Bashkisë së Tiranës, miku dhe mentori i tij Koço Kokëdhima po e quante publikisht të paaftë për të ardhur në pushtet, ndërsa glorifikonte kundërshtarin e tij të majtë, Ilir Metën.

Megjithëse nuk ishte fajtor për situatën, nuk ishte vetëm Kokëdhima që mendonte se ai nuk do të arrinte të bëhej kurrë Kryeministër.

Ishte një dyshim i përhapur që iu shndërrua në presion dhe më pas në obsesion. Derisa u dorëzua, ndërmjetësoi me Ilir Metën, firmosi marrëveshjen e 1 prillit dhe ardhi në pushtet.

Dukej si bast i fituar, përkundër skeptikëve, Edi Rama do të bëhej kryeministër.

Fiks 6 vjet e 26 ditë pas 1 prillit të famshëm, aty në shesh, ai vetë, po aq i gjatë, pak më i moshuar – jo domosdoshmërisht më i pjekur, ka njoftuar një takim si Kryeministër.

Shoqërohet me gardën si Kryeministër, me makinat shtetërore si Kryeministër, me televizionin që paguhet me taksat e shqiptarëve si Kryeministër, me drejtorët rajonalë që e rrethojnë si Kryeministër.

I ka të gjitha që i duhen për t’u quajtur Kryeministër, përveç punës, mendimit dhe komunikimit.

Në mes të sheshit, përballë kamerave, është ai që i ndan njerëzit në “ne” dhe “ata”, shan kundërshtarët, deputetë, pedagogë, student, votues.

Stigmatizon jetën personale të gjithkujt që e kundërshton apo e kritikon.

Kur flet për krizën politike thotë “Artisti dhe Fallxhorja të rrinë jashtë zgjedhjeve, ne do fitojmë 61 bashki.”

Kur flet për shqiptarët që largohen thotë “Do bëjmë aeroportin që të vijnë çunat e Kukësit nga Londra sa më shpesh”. E ka fjalën për ata çunat që ikin 16 vjeç për t’u rekrutuar nga bandat e shpërndarjes së drogës dhe përfundojnë në burg me jetë të shkatërruar.

Kur flet për krizën ekonomike në një qytet të mjeruar ku të rinjtë ikin ose u dorëzohen bandave lokale për të mbijetuar, thotë që “Belshi me turizmin do rregullojë Elbasanin”.

(Aty gjen rastin të bëj humor me gropat e rrugës që ka rregulluar: Erjon Braçe do humbiste në ato gropa).

Kur flet për krimin që sundon qytetin, premton se do ta luftojë në të ardhmen, ndërsa ka 6 vjet që e stimulon me para dhe pushtet. Për ndotjen nuk flet se ka çuar inceneratorin klientelist për ta helmuar përfundimisht zonën.

Ai që flet në mes të sheshit, është një njeri që ka 6 vjet në pushtet, por asnjë ditë nuk u bë dot Kryeministër. Nuk foli asnjëherë për të gjithë shqiptarët, taksat e të cilëve i administron prej 6 vjetësh. Që kur mori pushtetin deri sot, vazhdon t’i ndajë shqiptarët në “ne” dhe “ata”. Me stilin e një komediani që nuk u bë dot Kryeministër.

Lexo edhe: